Punonjësit shëndetësorë në Iran po përballen me një valë të papërballueshme të të plagosurve, ndërsa përleshjet mes Izraelit dhe Iranit kanë hyrë në ditën e katërt.
Mjekë të lodhur dhe të mbingarkuar e përshkruajnë situatën
në spitale si një “kasaphanë”, ndërsa numri real i viktimave besohet të jetë
shumë më i lartë se shifra zyrtare prej 224 të vdekurish.
Në spitalin Imam Khomeini në Teheran, fluksi i të plagosurve kishte qenë i vazhdueshëm që nga e premtja, por të dielën mbrëma situata doli jashtë kontrollit.
“Ishte një kasaphanë e vërtetë. Kaos dhe britma të
familjarëve të dëshpëruar. U sollën dhjetëra persona me plagë të rënda, lëndime
të lehta, madje edhe trupa pa jetë,” tha një mjek i urgjencës për The Guardian,
nën kushte anonimiteti.
Mjekët tregojnë se kanë trajtuar fëmijë të vegjël,
adoleshentë, të rritur e të moshuar, ndërsa në spital vinin nëna të gjakosura
që mbanin fëmijët e plagosur në krahë.
“Disa prindër nuk e kuptonin që edhe vetë ishin të plagosur,
derisa linin fëmijët e tyre poshtë,” tha një tjetër mjek.
Dëmtimet ishin të rënda: fragmente metali të ngulitura në
këmbë, dëmtime të nyjeve, gjakderdhje të brendshme dhe djegie të mëdha. Shumë
prej të plagosurve ishin pranë pikave ku kishin rënë bombat izraelite.
Sulmet filluan të premten herët, kur Izraeli ndërmori qindra
sulme ajrore në Iran, duke deklaruar se synonte të parandalonte Teheranin nga
zhvillimi i armëve bërthamore. Irani u kundërpërgjigj me raketa dhe dronë, dhe
përplasja është përshkallëzuar që prej asaj dite.
Autoritetet iraniane njoftuan të hënën në mëngjes se 1,277
persona janë dërguar në spitale, dhe 224 prej tyre kanë humbur jetën. Por
mjekët thonë se numri real është më i lartë.
Personeli mjekësor është urdhëruar të mos publikojë në
rrjetet sociale informacione mbi të plagosurit apo të vdekurit, ndërsa
mbikëqyren nga drejtuesit e departamenteve.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Iran, Hossein
Kermanpour, deklaroi se mbi 90% e viktimave janë civilë. Nga ana tjetër,
kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se sulmet synojnë vetëm
objektiva të regjimit iranian.
Sipas burimeve diplomatike, Irani i ka kërkuar vendeve të
Gjirit që t’i kërkojnë Donald Trump të ndërmjetësojë një armëpushim me
Izraelin. Megjithatë, në terren, shenjat e paqes mungojnë, dhe për mjekët në
Iran, që tashmë janë në kufijtë e kapacitetit, e ardhmja është e frikshme.
“Ngjarjet e ditëve të fundit na kanë sjellë kujtime të
tmerrshme nga lufta Iran-Irak,” tha mjeku në spitalin Imam Khomeini. “Dëmtimet
janë të tmerrshme dhe ndjesia është si të jemi në një spital ushtarak në vijën
e frontit.”
No comments:
Post a Comment