Nga Elton Metaj
Instituti për Inteligjencë dhe Operacione Speciale, i njohur
si "Mossad", vendosi në një lëvizje të rrallë, të publikojë video nga
operacioni i zbulimit dhe sulmi ndaj sistemit bërthamor dhe atij mbrojtës të
Iranit. Për publikun doli në dritë diçka për të cilën agjencitë e zbulimit dhe
qeveritë investojnë shumë për ta ruajtur ndër vite. Agjentët e
"Mossad"-it, jo vetëm mblidhnin informacione të një rëndësie
strategjike dhe kishin informacione të "dorës së parë" mbi programin
bërthamor të Teheranit, por kishin arritur të ngrinin edhe baza të mirëfillta
për zhvillimin e operacioneve speciale, fare pranë pikave të mbrojtjes
kundërajrore iraniane.
Ashtu siç e cilësuan ekspertët dhe komentatorët e zhvillimeve
ndërkombëtare, Irani prej kohësh ishte kthyer në "këndin e preferuar të
lojërave" për agjentët e inteligjencës. Të favorizuar edhe nga antipatia e
brendshme për regjimin sundimtar të ajatollahëve, operativët ideuan dhe
realizuan një ndër operacionet më ekzemplarë në histori.
Në një vend të izoluar, ku Garda Revolucionare duket se
kontrollon dhe di gjithçka, penetrimi kaq profesional dhe jo vetëm mbledhja e
informacionit, por edhe kryerja në mënyrë perfekte e operacioneve speciale
tejet të komplikuara, dëshmon një hap tjetër për konfirmimin e dominancës
izraelite ndaj Iranit dhe aktorëve të tjerë në Lindjen e Mesme. Nëse i shtojmë
kësaj serie veprimesh, edhe ekzekutimet snajperiste të krerëve të ushtrisë dhe
shkencëtarëve bërthamorë, jemi qartësisht në një nivel tjetër, ku Irani as mund
të tentojë të afrohet.
Megjithatë sukseset e "Mossad"-it dhe vetë Izraelit
ndaj Iranit dhe grupeve që ai furnizon e financon nuk janë as të parat dhe
sigurisht as të fundit. Çfarë ndryshoi këtë herë ishte zelli për të bërë publik
suksesin. Këtu duket se "Mossad" nisi një operacion tjetër mbi
operacionin në zhvillim të goditjes së aftësive bërthamore të Iranit. Me
publikimin e pamjeve, se si operativët e shërbimit izraelit vepronin në tokën e
liderit suprem, strategët e inteligjencës dhe ushtrisë i bënë të qartë
opinionit ndërkombëtar, por në rradhë të parë atij brenda Iranit, se gjendja e
brendshme nuk është ajo e një uniteti kombëtar të çeliktë rreth Khameneit dhe
Gardës Revolucionare.
Tashmë ditë pas dite, mjedisi i brendshëm në Iran do të
gërryhet nga dyshimet e shumëfishuara për spiunë, agjentë e bashkëpunëtorë.
Toka e Iranit rezultoi fertile për të realizuar një sulm të përmasave të
pamenduar më parë dhe me saktësi farmaceutike. Lufta në distancë, mes dy
shteteve që nuk ndajnë kufi tokësor mes tyre, rezultoi të mos ishte thjesht një
betejë nga ajri. Irani u sulmua nga territori i tij, mbrojtja kundërajrore u
paralizua nga goditjet tokësore dhe populli iranian duhet ta mësojë këtë.
Propaganda e egër e Teheranit, që më shumë se frikëson
izraelitët e amerikanët, duket se kërkon të trembë vetë iranianët, mori një
goditje të fortë. Videot e "Mossad" duke luajtur në kopshtin e
preferuar të lojërave të inteligjencës, asgjesojnë çdo propagandë për një shtet
të fortë, i gatshëm të përleshet me SHBA, Izraelin e botën mbarë, siç Irani
vetëshpallet. Pa kontroll të plotë as mbi territorin e tij, Irani është sot një
rregjim qesharak që kërkon të luajë luftërash me një grusht dronësh e raketash,
që i hedh nga dritarja e errët e një mentaliteti mesjetar. Një lojë që duket se
e ka humbur dhe vazhdon ta humbë me turp.
No comments:
Post a Comment