Duke filluar nga e diela dhe veçanërisht gjatë javës së ardhshme, në Itali do të mbërrijë vala e dytë e të nxehtit për këtë fillim qershori, shumë më intensive se e para, me temperatura që pritet të arrijnë deri në 37°C në pjesën më të madhe të vendit.
Meteorologu Mattia Gussoni nga
portali www.iLMeteo.it konfirmon formimin e një blloku atmosferik të nxehtë për
ditët në vijim. Bëhet fjalë për një konfigurim të veçantë që do të sjellë
shtrirjen e anticiklonit afrikan për mijëra kilometra nga jugu në veri.
Sipas Gussonit, kushtet e motit do të mbeten thuajse të pandryshuara për disa ditë: shumë diell dhe mungesë reshjesh në pjesën dërrmuese të rajoneve. “Italia do të ndodhet në zemër të kësaj ‘flluske’ me presion të lartë”, thotë ai.
Që nga e diela, 8 qershor,
dielli do të shkëlqejë në pothuajse të gjitha rajonet, megjithatë mbetet
rreziku për ndonjë stuhi të izoluar në Alpet qendrore-lindore, e cila mund të
shtrihet edhe në fushat e Friulit. Një fazë e re e motit anormal do të nisë
javën e ardhshme: përveç shumë diellit, pritet një valë e fortë të nxehti që do
të prekë gjithë vendin gjatë pjesës së parë të qershorit.
Temperaturat pritet të jenë
disa gradë mbi mesataren klimatike, duke sjellë nxehtësi përvëluese në më shumë
se gjysmën e Italisë. Më konkretisht, nga e marta, 10 qershor, priten
temperatura deri në 36-37°C në Toskanë, Lacio, Molise, Bazilikatë, Puglia,
Siçili, Sardenjë dhe Kalabri – madje deri në 40°C në zonat e brendshme të dy
ishujve të mëdhenj.
Në pjesën tjetër të rajoneve,
nxehtësia dhe lagështia do të jenë të ndjeshme, me temperatura deri në 33-34°C
në qytete si Milano, Bolonja dhe Roma. Këto kushte do të zgjasin gjatë gjithë
javës, nga e hëna, 9 qershor, deri të dielën, 15 qershor. “Për momentin, nuk
pritet ndonjë ndryshim domethënës në këtë bllok atmosferik – të paktën jo para
dhjetëditëshit të fundit të muajit”, shton Gussoni.
No comments:
Post a Comment