Në një intervistë në emisionin “N’xhiro me Syçin” nga Ilir Demalia, analisti dhe gazetari Ben Andoni komentoi zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, duke theksuar rreziqet dhe prapaskenat e konfliktit mes Iranit dhe Izraelit. Sipas tij, përfshirja e SHBA-ve në këtë përplasje nuk është e rastësishme dhe as spontane.
“Është e vështirë të besosh se mund të kemi një paqe të
qëndrueshme. Fuqia morale e Iranit në botën shiite dhe pesha strategjike e
Izraelit nuk e lejojnë këtë,” deklaroi Andoni.
Ai u ndal veçanërisht tek roli i kryeministrit izraelit
Benjamin Netanjahu, duke e cilësuar atë si një figurë që "nuk njeh limitet
historike të vendit të tij". “Ka kaluar çdo kufi. Dhe nuk bëhet fjalë për
kufijtë ushtarakë, por për kufijtë historikë që çdo vend duhet t’i ketë
parasysh,” shtoi ai.
Në analizën e tij, Andoni sugjeroi se sulmet e SHBA-ve ndaj
objektivave në Iran, që zyrtarisht nuk përfshijnë armë bërthamore, janë pjesë e
një loje më të madhe ndërkombëtare. “Irani e ka firmosur traktatin për
mos-përhapjen e armëve bërthamore, por nuk e ka ratifikuar. Ndërsa Izraeli as
nuk e njeh atë,” theksoi ai, duke ngritur pyetje mbi standardet e dyfishta në
arenën ndërkombëtare.
Sipas Andonit, pas sulmeve, regjimi iranian nuk u dobësua,
përkundrazi: “Regjime të tilla pas sulmeve të jashtme forcohen, jo dobësohen.
Kjo ndodhi në Irak, kjo ndodh edhe në Iran.”
Në fund, ai përmendi një nga teoricienët më të njohur të
gjeopolitikës amerikane, Zbigniew Brzezinski, duke kujtuar paralajmërimet e tij
për zhvendosjen e pushtetit global nga SHBA drejt fuqive si Kina dhe Rusia:
“Parashikimet e Brzezinskit po dalin. Pllakat tektonike po lëvizin. Irani është
lidhur me Rusinë, dhe bota është në një fazë riformatimi të hartës së saj
gjeopolitike.”
No comments:
Post a Comment