Në emisionin “N’xhiro me Syçin”, të drejtuar nga Ilir Demalia, i ftuar ishte aktori i njohur Mevlan Shanaj. Biseda u fokusua në mënyrën se si trajtohen sot filmat e prodhuar gjatë periudhës komuniste dhe në kontekstin historik të krijimtarisë së asaj kohe.
Shanaj theksoi se mohim i plotë
i së kaluarës, pa kuptuar rrethanat në të cilat është krijuar arti, është një
formë injorance. “Njerëzit e ditur nuk e bëjnë këtë gabim,” u shpreh ai.
“Filmat e asaj kohe nuk ka të drejtë t’i heqë askush. Ai që nuk do t’i shohë,
mos i shohë. Por pse duhet t’i paragjykojmë ata që duan?”
Sipas aktorit, shumë nga filmat
e asaj periudhe kanë vlera të padiskutueshme artistike. “Viktor Gjika ka bërë
filma të shkëlqyer. Ishte koha, ishte tematika, dhe ai i bënte. Pse duhet ta
paragjykojmë sot?”, tha Shanaj, duke përmendur edhe bashkëpunimet me Pirro
Manit dhe panelin ku kanë diskutuar për këtë temë.
Në një pasazh domethënës,
Shanaj theksoi se Kinostudio ka qenë më shumë se një fabrikë filmash – ishte
një institucion kulturor: “Ishte një shkollë disidence. Një shkollë kulture dhe
mirëkuptimi. Aty ishin njerëzit më të kulturuar. Filmat shiheshin nga 600 vetë
dhe diskutohej. Edhe punëtori më i thjeshtë kishte të drejtë mendimi dhe
edukohesh duke dëgjuar të tjerët.”
Ilir Demalia e pyeti për rastet
kur kritika vjen nga jashtë kontekstit historik. Shanaj ishte i prerë: “Të
gjykosh kohën e djeshme jashtë kontekstit të saj, është thjesht injorancë.”
No comments:
Post a Comment