Në emisionin “N’xhiro me Syçin”, të drejtuar nga Ilir Demalia, i ftuar ishte aktori dhe regjisori i njohur Mevlan Shanaj, i cili solli një reflektim të thellë mbi rolin e kineastit Piro Milkani në historinë e kinematografisë shqiptare dhe më gjerë në ndërtimin e një kulture qytetare europiane.
“Piro ishte një model – modeli
i qytetarit, i njeriut të ditur dhe të urtë. Erdhur nga një kryeqytet i
mirëfilltë europian në vitet ’60, ai solli me vete një mendësi tjetër,” – u
shpreh Shanaj, duke e cilësuar Milkani si një nga themeluesit e mentalitetit
europian në Shqipëri.
Në bisedën me Demalian, Shanaj
evidentoi rëndësinë e brezit të parë të kineastëve shqiptarë të arsimuar jashtë
vendit, të cilët sollën jo vetëm teknikat e reja të kinemasë, por edhe një
ndjenjë të thellë qytetarie. Sipas tij, për të bërë kinema “duhet të jesh një
shoqëri e formuar, me teatër, letërsi, kompozitorë – sepse filmi është art
sintezë.”
Duke përmendur emra të njohur
si Viktor Gjika, Kristaq Dhamo, Hysen Hakani, Saim Kokona apo Gëzim Erebara,
Shanaj nënvizoi se ishte pikërisht kjo “gardë simpatike” që vendosi themelet e
një industrie filmike me frymë qytetare, pavarësisht kushteve të vështira pas
Luftës së Dytë Botërore.
“Shqipëria nisi të ecte me
këmbët e veta në vitet ’60 dhe filmat, edhe pse në fillim të pakët, ishin
dëshmi e përpjekjes për ndërtimin e një shoqërie të kulturuar,” theksoi ai.
No comments:
Post a Comment