Giorgio Armani, një nga emrat më të mëdhenj të modës italiane dhe botërore, është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare. Lajmin e bëri të ditur vetë kompania e tij përmes një deklarate zyrtare ditën e sotme.
“Me hidhërim të pafund, Grupi Armani njofton ndarjen nga jeta të krijuesit, themeluesit dhe forcës së palodhur lëvizëse: Giorgio Armani,” thuhet në njoftimin e shtëpisë së modës.
Armani ishte një ikonë e elegancës moderne dhe simbol i stilit italian në mbarë botën. Ai nuk ishte vetëm stilist, por edhe një biznesmen duke e kthyer emrin e tij në një perandori ndërkombëtare me të ardhura që arrinin rreth 2.3 miliardë euro në vit.
Stilisti i njohur kishte qenë i sëmurë për një kohë dhe nuk mori pjesë në Javën e Modës për Meshkuj në Milano në muajin qershor, hera e parë në karrierën e tij që mungoi në një nga ngjarjet e tij të rëndësishme të modës.
I njohur ndryshe si “Re Giorgio” (Mbreti Giorgio), ai ishte i famshëm për perfeksionizmin dhe përfshirjen e tij personale në çdo aspekt të punës nga dizajnimi i koleksioneve, te reklamat dhe deri te detajet më të vogla si stili i flokëve i modeleve në pistë.
No comments:
Post a Comment