Kantina Duka – Shije shqiptare që udhëton botën

Reklamë

LAJMI I FUNDIT:

Post Top Ad

Your Ad Spot

Thursday, September 11, 2025

Kryebashkiaku i Vlorës: Më ndjeni që po e lë këtë rrugëtim në mes

Pas largimit nga detyra si kryetar i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha ka përcjellë një mesazh falënderues për bashkëpunëtorët e tij.

 


Ai thotë se ka qenë një privilegj për të të shërbente qytetarëve dhe stafit, edhe pse nuk ka mundur të përmbushë çdo pritshmëri.

 

Në mesazhin e tij, Dredha shkruan: “Ka qenë kënaqësi t’ju shërbeja, edhe pse nuk arrita të zgjidh të gjitha problemet tuaja. Ju falënderoj dhe më ndjeni që po e lë këtë rrugëtim në mes. Për mua ka qenë një privilegj dhe një nder i madh të jem në shërbimin tuaj. Ju uroj më të mirën ju dhe familjeve tuaja, me shumë respekt."

 

Më vonë sot, në një mesazh publik në Facebook, Dredha bëri këtë deklaratë:

 

"Të nderuar qytetarë të Vlorës,

 

Me mirënjohje dhe përulësi, për gjithçka ndamë bashkë përgjatë këtij rrugëtimi, bashkë me falenderimet e pafundme për çdo mbështetje, po ndaj me ju letrën time të dorëheqjes!

 

Shpresoj në mirëkuptimin tuaj, me bindjen që Vlora ka plotë mundësi për kontribute të vyera! Si djalë i këtij qyteti kaq të dashur, do të shërbej në çdo formë, njësoj siç kam bërë çdo ditë të karrierës sime diplomatike sepse e vetmja gjë që mbetet e pandryshuar është që Vlora do të jetë gjithnjë e para në zemrën time!"

 

Dredha ka një mesazh dhe për Edi Ramën:

 

"I nderuar z. Kryeministër,

 

Sot, me përgjegjësinë më të lartë morale dhe institucionale, kam vendosur të paraqes dorëheqjen time nga detyra si Kryetar i Bashkisë së Vlorës.

 

Ky është një nga ato momente ku fjala nuk del lehtë, jo sepse mungon bindja, por sepse pesha e asaj që dua të them është e madhe dhe shumë e ndjeshme për mua si njeri, si shërbyes publik dhe si bir i këtij komuniteti që e dua me gjithë zemër.

 

Pavarësisht sfidave dhe vështirësive që janë shfaqur gjatë rrugës, kam besuar gjithmonë se transparenca dhe puna e ndershme janë baza mbi të cilat ndërtohet një shërbim i mirëfilltë ndaj komunitetit.

 

Kam jetuar çdo ditë të këtij detyrimi me përkushtim të plotë dhe zell. Kam bërë më të mirën që kam ditur e mundur, ndoshta jo gjithmonë mjaftueshëm, por gjithmonë me ndershmëri. Kam qenë pranë njerëzve në ditë të mira dhe në ditë të vështira, dhe i kam ndjerë hallet dhe shpresat e tyre si të ishin familja ime.

 

Megjithatë, besoj se në një moment të caktuar është e rëndësishme të dish të largohesh me dinjitet, për t’i hapur rrugë energjive dhe ideve të reja.

 

Dorëheqja ime vjen si një akt reflektimi dhe përgjegjësie. Rrethanat aktuale, familjare dhe personale, apo dhe ato politike e administrative, më shtyjnë të besoj se dorëheqja ime është veprimi më i drejtë në këtë moment. Ky vendim nuk nënkupton largim nga përgjegjësia publike, por është një akt i vetëdijshëm për të krijuar hapësirë për ide dhe ritme të reja zhvillimi për bashkinë tonë.

 

Z. Kryeministër,

 

Ju falënderoj për bashkëpunimin institucional! Ky vendim nuk ndryshon as respektin dhe as përgjegjësinë që ndjej ndaj vendit tim dhe ndaj qytetarëve tanë.

 

Ju falënderoj për çdo mbështetje që më keni dhënë dhe për çdo shpresë që kemi ndarë së bashku. Unë mbetem i përkushtuar ndaj komunitetit tim dhe do të vazhdoj të kontribuoj në forma të tjera për të mirën e përbashkët."

No comments:

Post a Comment

Post Top Ad

Your Ad Spot