Nga Adrian Thano
Pse na nevojitet ne shqiptarëve
kujtimi i gruas trupvogël me emër të madh? Si krenari kombëtare?
Më shumë si busull shpirtërore.
- Publicitet -
Tereza nuk ndërtoi godina të
larta, nuk kishte zyra me xhama masivë, nuk kishte marka për të demonstruar.
Ndërtoi një formë të rrallë pasurie që nuk matet me metra katrorë, por me jetë
që u prekën, u ngushëlluan, u shpëtuan. Ndërtoi dinjitet për ata që nuk e
kishin.
Ndërtoi dashuri.
Dhe dashuria më e madhe shpesh
jepet në mënyrën më të thjeshtë. Në një gjest. Në një fjalë. Në një përkulje.
Në Ditën e saj të Shenjtërimit,
kjo grua na fton të ndalemi. Të dëgjojmë në heshtje ata që nuk dëgjohen. Të
kthejmë vështrimin nga ata që nuk kanë as mikrofon, as pasues, as pasuri.
Ne jetojmë në një botë që flet
shumë dhe dëgjon pak. Një botë që e mat vlerën me ndjekës në rrjete, ku shfaqja
dhe shou kanë zëvendësuar përmbajtjen, ku ndjeshmëria është kthyer në dobësi.
Në këtë botë me më shumë fjalë
se vepra, kujtimi i saj është një thirrje e heshtur për të rikthyer masën e
gjërave.
Gruaja me vështrim kaq të
veçantë na mëson se jeta nuk është garë për pasuri. Se ka më shumë vlerë një
dorë e ngrohtë në një dhimbje të heshtur sesa një kamje e madhe në vetmi. Se
njeriu nuk madhështohet nga luksi, por nga zemra.
Dhe në fund, kur gjithçka
tjetër bie, kur dritat fiken dhe mbeten duart bosh, vlen vetëm dashuria që ke
ditur të japësh.
Dhe kjo nuk blihet. Kjo është
zgjedhje.
Në një kohë kur suksesi matet
me vilat që ke dhe orët që vesh, kur njeriu vlen sipas çmimit të telefonit në
xhep apo të makinës në garazh, Tereza na rikujton një thjeshtësi që të trondit:
Nuk është ajo që kemi që na përkufizon, por ajo që japim.
Po glorifikojnë pushtetin,
famën dhe pasurinë. Tereza na kujton një të vërtetë që po harrohet: nuk është
më i madh ai që ka më shumë, por ai që jep më shumë.
Pa zhurmë.
Kjo është trashëgimia e saj më
e madhe.
No comments:
Post a Comment