Nga Toni Drishti
Doktori, me të gjitha daljet e
tij heroike donkishoteske në konferenca shtypi, ka rrëshqitur në një lloj
ëndërre, një lloj kllapie, një lloj deliri. Ka nisur të ngatërrojë dashin e
larjes me dashin e tundjes. Njëra punë, e para, kërkon detergjent e furçë,
tjetra, e dyta, thjesht e bën kokën gunga kur përplas brirët.
Por Doktori, i përhumbur mes
qindra e mijëra denoncimeve, shifrave, çmimeve dhe armiqve imagjinarë, e ka
kthyer politikën në lavanderi, ku lahen hesapet dhe ku rrobat i dalin,
çuditërisht, më të pista dhe më të fëlliqta se ç’ishin më parë.
Sot, me seriozitetin e tij epik
edhe kur është gati të vjedhë me kuç e me maç gjysmën e Shqipërisë dhe kusur
mos t’i lërë, të rrëmbejë prona, gjire detesh dhe toka, ai u përpoq të bindte
shqiptarët se nuk ka problem paga minimale, mjafton të mos ketë rroga të larta
për zyrtarët e shtetit.
Pra, sipas Doktorit të dy
deshëve, më mirë gjithë populli të vdesë me rrogë të vogël, sesa të pranojë që
ndokush tjetër të marrë një pagë dinjitoze.
Dashi i larjes i kujton
Doktorit SHQUP-in e dikurshëm, me të gjithë rraqet e braktisura në oborrin e
PD-së së sotme.
Dashi i tundjes i kujton
realitetin: sa herë përplaset, aq më qartë zbulohet halli i tij pas betejave
boshe me mullinjtë e erës.
Dhe mes këtyre dy deshëve si
mes Shibës dhe Karibës, Doktori habitet, hutohet, turbullohet, s'bën asnjë
dallim mes brirëve, përplasjeve, larjeve, kafshimit pa u lodhur të atyre të
dyjave që lëkunden por nuk bien, dhe fundoset pafund në ëndërrimet e veta për
t’u bërë për të tretën a të katërtën herë nuse me tela me gjëmba.
Ku do përfundojë vallë odisea
donkishoteske e Doktorit me deshë dhe ëndrra?
Në kazanet e lavanderisë
politike, apo i përplasur në tokë nga Dashi i drejtësisë, të cilit ato të dyja
vazhdojnë t'i lëkunden por ende nuk po i bien?
No comments:
Post a Comment