Më 22 gusht 2002, u nda nga jeta Teodor Keko, një nga zërat më të veçantë të letërsisë dhe publicistikës shqiptare. I larguar herët, vetëm 44 vjeç, ai la pas një trashëgimi të dendur në poezi, prozë dhe gazetari, ku ndjeshmëria, ironia dhe guximi qytetar u bënë shenja dalluese të tij.
Keko ishte poet, shkrimtar, publicist dhe deputet. Në letërsi, ai mbeti
poeti i metaforës së pazakontë, ku humori i hidhur shpesh përzihej me mallin
dhe rebelimin e brendshëm.
Pak muaj para ndarjes nga jeta, pas një operacioni në Selanik,
ai shkroi poezinë e tij të fundit, “Kur e di se do të vdesësh”. Një tekst që
sot lexohet si një testament shpirtëror, ku vdekja nuk shihet si frikë, por si
një zbulesë që e bën jetën më të qartë.
Kur e di se do të vdesësh
Kur e di se do të vdesësh,
pemët kanë më shumë lule
dhe më shumë yje qielli ka.
Më të mirë dhe më të çuditshëm janë njerëzit,
që nuk e kuptojnë se hija e trupit të tyre
është vetë vdekja.
Kur e di se do të vdesësh,
toka është pjellore si grua
dhe qielli ta shuan përjetësisht etjen me shirat e tij
dhe avionët nuk fluturojnë për t’u rrëzuar
dhe njerëzit nuk lindin për t’u bërë nesër të liq.
Më mirë ta dish se do të vdesësh!
Lulet lule do të jenë dhe nuk do të kundërmojnë më trishtim
dhe njerëzit do kthehen më shpesh te distributori i harruar
të furnizohen falas me besim…
Edhe pse u shua fizikisht, Keko nuk u largua nga kujtesa e
lexuesve. Vargjet e tij vijojnë të qarkullojnë, po aq sa editorialet dhe
tregimet e tij, të cilat ende flasin me aktualitet. Sot, 23 vite pas ndarjes së
tij, ai mbetet një figurë që nuk matet me kohën, por me thellësinë e fjalës dhe
guximin e qëndrimit.
Teodor Keko ishte dhe mbetet një zë që nuk u këput, por që
vijon të këndojë në kujtesën e kulturës shqiptare.
No comments:
Post a Comment