Nga Afrim Krasniqi:
Retrospektivë, 1992. Një profesor amerikan Francis Fukuyama prezantoi tezën e “fundit të historisë”, sipas të cilës, pas rënies së komunizmit në Europën Lindore dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, liberal-demokracia dhe ekonomia e tregut u provuan si modeli përfundimtar i organizimit politik e shoqëror. Në këtë prizëm, “historia” si rivalitet e përplasje midis modeleve të kundërta ideologjike kishte përfunduar. Pastaj erdhi 11 shtatori 2001. Pastaj erdhi 24 shkurti 2022. Pastaj 7 tetori 2023. Ka edhe data të tjera para, gjatë ose pas tyre. “Historia” nuk kishte përfunduar. As ka mësuar ende nga gabimet.
Bota 2025? Më shumë news, më pak demokraci, më shumë regjime autoritariste edhe në vendet ish-demokratike, më shumë populizëm, erozioni i institucioneve liberale, nevoja për stabilitet mbivendoset mbi nevojën për demokraci funksionale, lider gjithnjë e më të fortë dhe institucione e shoqëri gjithnjë e më të dobëta. I gjen të gjitha këto cilësi edhe në Ballkan, i cili në formën aktuale tani ka emërim të ri, Ballkan Perëndimor.
Vetë Fukuyama tani mendon se nacionalizmi, teokracia dhe autoritarizmi janë ende alternativa. Dhe ka të drejtë. Siç janë të drejta edhe vlerësimet e sotme; - ndonëse është e sfiduar demokracia liberale mbetet modeli më i qëndrueshëm, se demokracia nuk është proces linear dhe kurdo e gjithherë rivalitetet/interesat gjeopolitikë mbeten ndikuese, pasi “interesat dhe jo miqësitë janë të përhershme”.
Shqipëria? Kosova? WB? Natyrisht ne nuk jemi pjesë e vendimmarrjes mbi rendin e ri botëror dhe as rishpikjes së historisë dhe as hapësirë e teorive politike. Ne statistikisht jemi më të varfrit por në sondazhe dalim më të lumturit. Ne konsumojmë politikë, ne nuk kemi gjeopolitikë. Interesat tona lidhen kryesisht me interesat e liderit/Partisë, për ato të vendit/kombit nuk kemi kohë të mendojmë e flasim! Mendojnë të tjerët.
Si më 1992 e në vijim, shoqëritë tona vijojnë të ecin pa vetëdije si pjesa shtesë e “autobusit fizarmonikë”, pa kokë, pa mend, pa ide, pa vizion, thjesht duke ndjekur dhe imituar, në të shumtën kryesisht imitime të imituesve, pra shumë larg origjinalit. Kjo lexohet më mirë sot kur nga leximi i politikës ditore kupton se halli më i madh në Tiranë është se cili oligark do të marrë stadiumin e Vlorës për pallate, çfarë syzesh përdor kryeministri apo cili lider ka batutën më të mirë të ditës, apo në Prishtinë, ku debati kryesor vijon të jetë emri i kryetarit të radhës së parlamentit dhe se emri i liderit që u ngjit në malin më të lartë!
No comments:
Post a Comment