‘Lidhjet’ e pronarit të “NOA”-s, Gentian Sula me drejtuesit e “EFT”-së në Shqipëri, çojnë te oligarku serb i energjetikës, Vuk Hamoviç.
260 milionë euro kaluan në llogari të kompanisë “Noa Energy Trade”, në emër të importit të energjisë elektrike për Kosovën gjatë viteve 2022, 2023 dhe 2024
Në vitin 2024, rreth 90% e energjisë nga importi erdhi përmes “Noa Energy Trade”, një kompani nga Shqipëria që hyri furishëm në tregun e Kosovës që në vitin e parë të licencimit në vitin 2022. ZRrE e KESCO heshtin rreth procedurave që u ndjekën për angazhimin e kësaj kompanie.
Prej 68.9 milionë euro sa ishte vlera e importeve nga KESCO në vitin 2024, mbi 62 milionë euro i takojnë importeve vetëm përmes kompanisë “Noa Energy Trade”. Për një vit, nga kjo kompani janë importuar energji elektrike gjithsej 345 mijë e 566 megavatë orë.
Të dhënat zyrtare që ka siguruar Buletini Ekonomik tregojnë se kjo kompani, me bazë në Tiranë, ishte e pakonkurrencë me ‘rivalët’ që kanë po ashtu licencë nga ZRrE për tregtim me energji elektrike.
Përveç “Noa Energy Trade”, në listën e importuesve janë edhe pesë kompani të tjera, ku prin kompania “GEN” me vlerë të importeve 6.2 milionë euro, e pasuar nga “Danske Commodities” me 566 mijë e 407 euro vlerë importi. Ndërsa, kompanitë “Future” dhe “MCM”, së bashku importuan energji në vlerë mbi 50 mijë euro.
‘Monopoli’ i NOA-s trashi çmimin e importit
“Noa Energy Trade” është licencuar nga ZRrE më datë 02.12.2021, vetëm pak muaj pasi ishte regjistruar si biznes në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).
Gjatë vitit 2024, Kosova u përball me çmime enorme sa i përket importit të energjisë elektrike. Sipas vlerësimeve të ZRrE-së, Kosova në vitin 2024 importoi energji me një çmim mesatar prej 181.34€/MWh, dyfish më shumë se parashikimi prej 97.79 €/MWh. Sipas ZRrE-së, kjo është një nga arsyet kryesore për miratimin e tarifave të reja, për 16.1% më të larta për këtë vit.
Në këtë mesatare ndikuan sidomos kostot për transport të energjisë përmes rrugëve tregtare. Si kurrë më parë, pati rritje të kostove për transport të energjisë për 907% në vitin 2024, krahasuar me vitin 2023. Nga rreth 1 milion euro, vetëm për transport të energjisë shkuan rreth 10 milionë euro.
Kjo “anomali” e rrallë në historikun e blerjeve të energjisë elektrike nga KESCO, ku transporti i energjisë në raste rezulton shumëfish më i shtrenjtë se vetë blerja e energjisë, është konstatuar edhe në dokumentet publike që iu kanë dorëzuar Rregullatorit të Energjisë.
Sipas KESCO-s, rritja erdhi pasi kapacitetet ndërkufitare të transmisionit ishin të kufizuara gjatë vitit të kaluar, duke iu referuar bllokadës së linjave nga Serbia dhe një kufizimi të dukshëm nga Shqipëria, pas funksionalizimit të bursës mes Kosovës dhe Shqipërisë, ALPEX.
Sipas të dhënave të ZRrE-së, KESCO bleu energji nga ALPEX më 2024 vetëm 359 MWh, në vlerë prej 47 mijë e 993 euro.
Por, ekspertët e energjisë me të cilët ka biseduar Buletini Ekonomik japin edhe një version tjetër. Ata thonë se këto situata i shfrytëzojnë mirë tregtarët e energjisë, sidomos në rastin e Kosovës, ku 90% e importit është i varur nga një kompani e vetme.
Njohësi i fushës së energjisë, Adhurim Haxhimusa, i sheh dy probleme kryesore tek importi i energjisë elektrike gjatë vitit 2024.
“Është shqetësues fakti që vetëm një kompani, ose 90% e importit, e tregtisë, realizohet vetëm përmes një kompanie. Tregu i lirë ose tregu i liberalizuar bëhet me qëllim që më shumë kompani të hyjnë në treg, të konkurrojnë dhe të ofrojnë çmime më të ulëta, sepse nëpërmjet konkurrencës ofrohen çmime më të ulëta”.
Edhe nëse ekziston me të vërtetë vetëm një kompani e cila e ofron këtë punë, Haxhimusa shton se ajo ka një lloj fuqie monopoli, të cilën “ajo mund ta keqpërdorë”.
“Hulumtimet empirike tregojnë që kompanitë që janë vetëm në treg, ato e keqpërdorin pozitën e monopolit dhe ofrojnë çmime më të larta. Prandaj edhe nëse ti ofron ankand dhe vetëm një kompani konkurron aty, ajo çdo herë e vendos çmimin më të lartin me të cilin e maksimizon fitimin”.
Problemi tjetër këtu sipas Haxhimusës, është fakti se pse KESCO nuk ka blerë energji elektrike direkt në bursë, por këtë e ka bërë me “ndërmjetësim” nga një kompani e tretë.
“Në bursë mund të regjistrohet secila kompani dhe të blejë energji”, vlerëson Haxhimusa, i cili është njohës i mirë i funksionimit të bursave ndërkombëtare për tregtim të energjisë elektrike.
Buletini Ekonomik ka biseduar edhe me ekspertë të tjerë të energjisë, ku vihet në pah edhe një problem tjetër kur ka monopol, siç është rasti me importet e vitit 2024.
“Ka situata kur tregtarët e mëdhenj marrin me qira linjat ndërkombëtare për një kohë të caktuar. Importi nga ato linja mund të shkojë vetëm përmes tyre për një kohë të caktuar. Këtu janë ato rastet kur tregtarët aplikojnë çmime të larta për transport të energjisë”, ka thënë një nga ekspertët në kushte anonimiteti.
‘Lidhjet’ e pronarit të “NOA”-s, Gentian Sula me drejtuesit e “EFT”-së në Shqipëri, çojnë te oligarku serb i energjetikës, Vuk Hamoviç
Lidhjet “familjare” mes pronarit të NOA-s Gentian Sula dhe drejtuesve të kompanisë “EFT”, dega në Shqipëri, çojnë te Vuk Hamoviç, një biznesmen serb, i njohur si ‘lojtari kryesor’ i tregtimit me energji elektrike në Ballkan, që hetohet për transaksione të dyshimta.
Një skemë e përgatitur mirë dhe me shumë aktorë dyshohet se është prapavija në importet e energjisë elektrike për Kosovën gjatë viteve 2023-2024. Përveç kompanisë nga Shqipëria, Noa Energy Trade, të cilës iu mundësua monopoli nga KESCO, hulumtimi i realizuar nga Buletini Ekonomik ka zbuluar edhe kompani të tjera që dyshohet se ishin pjesë e skemës së importeve.
Kompania me origjinë serbe “EFT Group”, për 20 vite kishte mbajtur primatin në furnizimin e Kosovës me energji elektrike nga importi. Kjo kompani ka pronar Vuk Hamoviç, një biznesmen serb i njohur si “lojtari kryesor” i tregtimit me energji elektrike në Ballkan.
Hulumtimi zbulon “lidhjet e shkurtra” mes drejtuesve të degës së kësaj kompanie në Shqipëri dhe kompanisë shqiptare Noa Energy Trade, e cila është importuesi kryesor i energjisë elektrike për Kosovën gjatë viteve 2023-2024.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Qendra Kombëtare e Bizneseve në Shqipëri, drejtues i degës së kompanisë “EFT” në Shqipëri është Mirsad Uruçi, një biznesmen shqiptar i njohur për tregtim me energji elektrike që nga viti 2017. Por prezenca e EFT-së në Shqipëri daton që nga viti 2002, me drejtues Enver Uruçi, babai i Mirsad Uruçit.
Sipas dokumenteve që posedon Buletini Ekonomik, Enver Uruçi në vitin 2002 kishte kërkuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Tiranë (në atë kohë në Shqipëri, regjistrimi i kompanive bëhej në Gjykatë), regjistrimin si person juridik të Zyrës së Përfaqësimit në Shqipëri të Shoqërisë “Energy Financing Team Limited”.
Në këtë vit, shoqëria “EFT” u regjistrua si “shoqëri tregtare angleze”, por nga hulumtimi del se pronari i vërtetë është Vuk Hamoviç, një biznesmen serb me të kaluar të dyshimtë dhe i hetuar nga disa shtete për transaksionet në tregtimin me energji elektrike. Në vitin 2017, “EFT” kishte ndërruar statusin juridik në Shqipëri duke u inkorporuar e regjistruar në Shqipëri si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar dhe me administrator Mirsad Uruçin.
Për tri vite, “NOA”-s i dolën në llogari 262.6 milionë euro, kishte monopol edhe në importet e realizuara nga KEDS-i
Mbi 260 milionë euro kaluan në llogari të kompanisë “Noa Energy Trade” në emër të importit të energjisë elektrike për Kosovën gjatë viteve 2022, 2023 dhe 2024. Buletini Ekonomik ka siguruar të dhënat e plota nga ZRrE prej kur kësaj kompanie iu dha licenca në vitin 2022.
Për vitet 2023 dhe 2024, importi i energjisë elektrike i realizuar nga Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS), praktikisht ishte “në duart” e një kompanie të vetme.
Mbi 260 milionë euro kaluan në llogari të kompanisë “Noa Energy Trade” nga Shqipëria, në emër të importit të energjisë elektrike për Kosovën gjatë viteve 2022, 2023 dhe 2024.
Buletini Ekonomik ka siguruar të dhënat e plota nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), që tregojnë se kompania nga Tirana kishte monopol jo vetëm në importet e realizuara nga KESCO, por edhe në importet e realizuara nga KEDS-i.
KESCO është përgjegjëse për furnizim me energji elektrike për të gjithë qytetarët e Kosovës, por energji elektrike importon edhe KEDS-i për mbulimin e humbjeve të energjisë elektrike në rrjet. Derisa KESCO është kompania për furnizim, KEDS është kompania përgjegjëse për rrjetin. Të dyja janë në pronësi të kompanive turke “Çalik Holding” dhe “Limak”.
Të dhënat tregojnë se në vitin e parë të licencës, më 2022 pra, “Noa” realizoi import në sasi 53,991 MWh në vlerë prej 14.1 milionë euro. Një vit më vonë, ndodhi ‘kapërcimi’ i madh. Në vitin 2023, në llogari të “NOA”-s dolën 115.4 milionë euro, për 909 mijë e 339 MWh energji elektrike sa ishte sasia e importuar. Kulmi arriti në vitin 2024, me mbi 133 milionë euro, për sasinë e importuar prej 923 mijë e 927 MWh energji elektrike. Në total për tri vite, vlera e importit të energjisë elektrike të importuar nga kjo kompani arriti në 262.6 milionë euro.
Në serinë e shkrimeve që ka publikuar Buletini Ekonomik, dëshmohet se monopoli nga KESCO – kësaj kompanie iu dha në kundërshtim me rregulloren e KOSTT-it “Procedura për Tregtimin e Energjisë Elektrike”, e cila rregullon shitblerjen e energjisë elektrike nga kompanitë e licencuara në Kosovë për tregtim me energji elektrike.
Kjo rregullore nuk parasheh askund përzgjedhjen e një kompanie përmes tenderit. Përkundrazi, kjo rregullore parasheh procedurën e ankandit për secilën blerje nga Furnizuesi (KESCO).
Në Kosovë janë 19 kompani të licencuara për tregtim me energji elektrike. Në mesin e këtyre kompanive, licencë për tregtim me energji elektrike ka edhe KESCO, por asnjëherë nuk realizoi blerje direkt në bursa, por vendosi në secilin rast të shkonte përmes ndërmjetësuesve. Në këtë rast, me kompaninë nga Tirana “Noa Energy Trade”, e cila hyri furishëm në tregun e Kosovës në vitin 2022, kur edhe e mori licencën në Kosovë.
No comments:
Post a Comment