Avokatura e Shtetit ka njoftuar sot përfundimin e një procesi gjyqësor të zgjatur me shoqërinë “Fokus Media News” lidhur me ambientet në pronësi të shtetit, pranë ish-“Uzinës së Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve” në zonën kadastrale nr. 8170, të cilat, sipas autoriteteve, janë mbajtur pa titull ligjor për më shumë se tre vjet pas mbarimit të kontratës së qirasë.
Sipas Avokaturës, kontrata përfundoi më 22 maj 2022 dhe
Ministria e Financave dhe Ekonomisë i kërkoi subjektit lirimin e pronës brenda
25 korrikut të atij viti. Pavarësisht njoftimit, kompania nuk e dorëzoi
vullnetarisht pronën, por nisi procese gjyqësore dhe kërkoi masa të përkohshme
sigurimi për të penguar ekzekutimin.
Çështja ka kaluar në të gjitha shkallët e gjyqësorit, duke
përfshirë katër vendime mbi masa sigurimi. Vendimi më i fundit, i datës 14
korrik 2025 nga Gjykata e Apelit Administrativ, ka urdhëruar lirimin e
menjëhershëm të ambienteve. Gjykata ka theksuar se veprimtaria mediatike e
shoqërisë nuk pengohet, pasi ambientet e punës mund të sigurohen në hapësira të
tjera.
Në mars 2025, me vendim të Këshillit të Ministrave, prona iu
kalua shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., për përdorim ekskluziv në projektin
strategjik të bashkëprodhimit të mjeteve motorike, me synim rivitalizimin e
industrisë ushtarake vendase, hapjen e vendeve të reja pune në zonën e Shkozës
dhe forcimin e sigurisë kombëtare dhe ekonomike.
Avokatura e Shtetit bën të ditur se pas rrëzimit përfundimtar
të pretendimeve të palës private, janë nisur procedurat ligjore për marrjen në
posedim faktik të pronës dhe lirimin e saj. Institucioni thekson se mbetet i
angazhuar të përdorë çdo mjet ligjor për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore dhe
mbrojtjen e pasurive shtetërore, si një detyrim i panegociueshëm ndaj
qytetarëve dhe rendit kushtetues.
Reagimi i plotë:
Në përmbushje të misionit të saj kushtetues dhe ligjor për
mbrojtjen e interesave të Republikës së Shqipërisë, Avokatura e Shtetit
informon opinionin publik mbi ecurinë dhe përfundimin e proceseve gjyqësore të
zhvilluara me Shoqërinë “Fokus Media News”, lidhur me ambientet në pronësi
shtetërore pranë ish-“Uzinës së Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve”, në zonën
kadastrale nr. 8170, të mbajtura pa titull ligjor prej më shumë se tre vitesh,
pas përfundimit të kontratës së qirasë.
Me përfundimin e kontratës më datë 22 maj 2022, Ministria e
Financave dhe Ekonomisë i ka komunikuar zyrtarisht shoqërisë kërkesën për
lirimin e ambienteve brenda datës 25 korrik 2022, në përputhje me afatet
kontraktuale. Pavarësisht këtij njoftimi, subjekti nuk ka kryer dorëzimin
vullnetar të pronës, por ka vijuar ta mbajë atë në kundërshtim me ligjin, duke
iniciuar procese gjyqësore dhe duke kërkuar masa të përkohshme sigurimi me
qëllim pengimin e ekzekutimit të detyrimit.
Që prej vitit 2022, çështja është shqyrtuar në të gjitha
shkallët e gjyqësorit – Gjykata e Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit dhe
Gjykata e Lartë – dhe ka përfshirë gjithashtu katër vendime mbi masa sigurimi.
Vendimi më i fundit, i datës 14 korrik 2025, i dhënë nga Gjykata e Apelit
Administrativ me trup gjykues prej tre gjyqtarësh, ka konfirmuar detyrimin për
lirimin e menjëhershëm të ambientit. Në këtë vendim, gjykata ka theksuar se
veprimtaria mediatike e shoqërisë nuk cenohet, pasi bëhet fjalë vetëm për ambiente
pune që mund të sigurohen në hapësira të tjera, në pronësi ose me qira.
Me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 158, datë 12 mars
2025, kjo pronë i është kaluar shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., me
destinacion ekskluziv përdorimin sipas objektit të saj, në këtë rast për
bashkëprodhimin e mjeteve motorike. Ky projekt strategjik synon rivitalizimin e
industrisë ushtarake vendase, krijimin e vendeve të punës në ambientet e zonës
së Shkozës dhe garantimin e interesave të sigurisë kombëtare dhe ekonomike. Në
pritje të vendimit të sipërcituar të Gjykatës së Apelit Administrativ, entet
shtetërore, përfshirë “KAYO” sh.a., nuk kanë ndërmarrë veprime ekzekutive.
Tashmë, me rrëzimin përfundimtar të pretendimeve të palës private, kane vijuar
procedurat ligjore për marrjen në posedim faktik të pronës te cilat janë në
zhvillim e siper, për ekzekutimin e detyrimit të përcaktuar ne vendimet
gjyqesore dhe lirimin e ambienteve te mbajtura pas perfundimit te kontrates.
Avokatura e Shtetit mbetet e angazhuar të ndjekë çdo mjet
ligjor në dispozicion për ekzekutimin e menjëhershëm të vendimeve gjyqësore dhe
për mbrojtjen e pasurive shtetërore, si një detyrim i panegociueshëm ndaj
qytetarëve dhe rendit kushtetues.
No comments:
Post a Comment