Në episodin më të fundit të emisionit “N’xhiro me Syçin”, gazetari Ilir Demalia priti në studio analistin dhe pedagogun Ilir Yzeiri, për një debat të thelluar mbi zgjedhjet, opozitën dhe krizën e besimit në jetën politike shqiptare.
Që në hyrje, Demalia ngre shqetësimin për këmbënguljen e
opozitës se zgjedhjet janë vjedhur dhe manipuluar. “Kur edhe SHBA-të kanë
kontestime zgjedhore, si në rastin e Trumpit, imagjino Shqipërinë,” tha ai,
duke shtuar se vetë rinumërimi i kutive të votimit në Shqipëri tregoi se “PD
kishte vjedhur vetëm vetveten”.
Ilir Yzeiri bëri një analizë të drejtpërdrejtë dhe pa ekuivok
për sistemin aktual zgjedhor. “Në Shqipëri duhet të ndahen tre gjëra: ligji
elektoral, procesi zgjedhor dhe demokracia,” tha ai, duke shtuar se procesi
është bërë “perfekt jo nga virtyti, por nga frika dhe mosbesimi mes palëve”.
Ai solli në vëmendje masat teknike ekstreme që zbatohen për të
shmangur manipulimet: identifikimi me kartë dhe foto në vendvotim,
procesverbali në sy të vëzhguesve dhe transportimi i fletëve të votimit si të
ishin ar. “Është një proces perfekt, por është i turpshëm. Tregon se nuk
jetojnë shqiptarë mes shqiptarëve, por shqiptarë kundër shqiptarëve,” tha
Yzeiri.
Ai kritikoi ashpër edhe diskursin e opozitës, veçanërisht Sali
Berishën. “Berisha e sulmon këtë proces me një narrativë që nuk ka lidhje fare
me realitetin zgjedhor,” theksoi Yzeiri, duke shtuar se Partia Demokratike nuk
ka më as referenca për t’u mbështetur. “Në 2021 PD humbi me 7 mijë vota për
shkak të një gabimi vetjak — nuk bëri koalicion me LSI-në në Berat. Sot i
mungojnë 250 mijë vota dhe është në rënie të lirë.”
Ai vuri theksin edhe te mungesa e pluralizmit: “De facto sot
nuk kemi pluralizëm, kemi një opozitë destruktive,” tha ai, duke akuzuar
përfaqësues të saj si Flamur Noka, Fatmir Mediu, Jorida Tabaku dhe Sali Berisha
se sulmojnë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare duke e paraqitur si
“narko-shtet” apo “vend ku zgjedhjet vidhen”, ndërkohë që vetë janë të akuzuar
për korrupsion.
No comments:
Post a Comment