Presidenti i SHBA, Donald Trump ka kritikuar ashpër presidentin rus Vladimir Putin, duke e akuzuar se bën deklarata të pakuptimta për luftën në Ukrainë.
Ai ka njoftuar gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të shtojnë
ndihmën ushtarake për Kievin, në përpjekje për t’u mbrojtur nga agresioni rus.
Gjatë një konference për shtyp pas mbledhjes së kabinetit në
Shtëpinë e Bardhë, Trump është shprehur i irrituar me lidershipin e Kremlinit.
"Putini vazhdimisht del me absurditete, nëse doni ta dini
të vërtetën. Ai është shumë i mirë gjatë gjithë kohës, por kjo rezulton pa
ndonjë kuptim”, u tha ai gazetarëve.
Trump tha se mbetet i zhgënjyer nga biseda e fundit me
Putinin, që sipas tij nuk solli asnjë përparim për t’i dhënë fund luftës në
Ukrainë, një objektiv që Trump thotë se do ta ndjekë me prioritet gjatë
mandatit të tij të ri.
I pyetur për një projektligj të propozuar në Senat që
parashikon sanksione më të ashpra ndaj Rusisë, ai deklaroi se po e ndjek nga
afër procesin dhe mbetet i interesuar për zhvillimet.
Këto komente vijnë vetëm një ditë pasi Trump premtoi rritje të
ndihmës ushtarake për Ukrainën, duke kundërshtuar njoftimin e mëparshëm të
administratës se disa dërgesa armësh do të ndaleshin.
“Putini nuk është duke i trajtuar siç duhet njerëzit. Ai është
duke vrarë shumë njerëz. Prandaj ne do të dërgojmë armë për mbrojtje dhe unë e
kam miratuar këtë”, theksoi Trump.
Sipas mediave amerikane, Trump ka urdhëruar dërgimin e
menjëhershëm të dhjetë sistemeve raketore Patriot në Ukrainë. Ai gjithashtu i
ka kërkuar sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, të nxisë kompanitë
kontraktore që të përshpejtojnë prodhimin e armatimeve.
No comments:
Post a Comment