Nga i dërguari i Panorama në Talin: EMANUEL LOCI
Nisja e Partizanit nga Rinasi bëhet në orën 8 të mëngjesit.
Çdo gjë në përpikmëri, ndërsa klubi ka vendosur në dispozicion një “charter”
për transfertën e Estonisë. Lojtarët preferojnë fundin e tij për t’u
grumbulluar bashkë.
Mungesa e Isgandarlit bie në sy, problemet me pasaportën i
mohojnë ndeshjen e parë me Kaljun. Sapo avioni ngrihet, Atanaskoski mbyll të
dyja dritaret që ka pranë. Nuk duket se i ka me qejf fluturimet. Mes lëkundjeve
nuk mungojnë batutat, të shoqëruara me një “Ikëm” që në mënyrë spontane
shkakton të qeshura.
Atmosfera shfaqet e qetë më pas te futbollistët sepse me orët
e gjumit janë mangët. Disa përfitojnë për një tjetër sy gjumë, por jo Himallari
dhe Vata. Dy 16-vjeçarët e Partizanit të ulur bashkë po shijojnë çdo moment.
Nuk është ekskursion gjimnazi si duhet të jetë zakonisht për moshën e tyre. Ata
janë në një mision.
Në orën 10 e 45 (shqiptare), avioni prek tokën estoneze.
Lodhja e fluturimit është krijuar. Kryetari i bordit të Partizanit, Filip
Çakulli, pas dy orësh e gjysmë fluturim e ka të nevojshme pirjen e një çibuku.
Pritje të veçantë ndërkohë i ka rezervuar skuadrës Liami, një
tifoz i vogël Partizanit që jeton në Estoni. Në fund shpërblehet me fanellën e
Alban Hoxhës, lojtarit më të vjetër dhe më me eksperiencë te Partizani. Pakkush
ka fatin ta ketë bluzën e kapitenit të kuq.
Klubi ndahet në dy autobusë për të shkuar drejt hoteleve.
Njëri për lojtarët dhe stafin, tjetri për delegacionin VIP me të ftuarit e
presidentit Demi që nuk janë të paktë në numër. Shoferja e autobusit ku ndodhet
delegacioni është një grua, tepër e sjellshme.
Dy hotelet e preferuara janë struktura moderne, me kushtet më
komode dhe shërbim të lartë. Ambiente që e përforcojnë edhe më shumë ndjesinë
se gjithçka këtu është e sistemuar dhe funksionale. Rastësia do që ekipi i
Partizanit dhe Kaljus të kenë zgjedhur të njëjtin hotel. Kështu nuk mungojnë
shkëmbimet rrugës dhe pse pa kontakt mes lojtarëve.
Grumbullim i pazakontë ky për dy skuadra në Europë. Në një
qytet ku kështjellat mesjetare ruajnë qetësinë dhe digjitalizimi ka depërtuar
në çdo aspekt të jetës, Partizani ka mbërritur me barrën e një sezoni të
trazuar dhe kërkimin për një fillim të ri. Talini ndërkohë qëndron i ftohtë dhe
mjaft i qetë, ndërsa zhurma e sorrës është ajo që dëgjohet më shumë.
Rrugicat prej guri dhe zërat e ulët krijojnë një atmosferë që
nuk duket se ndryshon, qoftë edhe pse po afron një ndeshje europiane. Për
vendësit ndoshta përgatitet vetëm si një sfidë e radhës, por për Partizanin
mbart peshën e fillimit të një sezoni. Tek estonezët nuk vërehet tensioni, që
ndihet në kryeqytetin shqiptar në prag të ndeshjeve të tilla. Kalju përgatitet
pa zhurmë, si një skuadër që thjesht po vazhdon me ritmin e zakonshëm të
kampionatit.
Në këtë qetësi nordike, që e afron Estoninë më tepër me
Finlandën se vendet baltike, mbërrin Partizani. Sigurisht, ndryshe nga Kalju.
Me ngarkesën emocionale që vjen natyrshëm, kur një ekip shqiptar përfaqëson një
klub si Partizani në transfertë europiane. Dhe për më tepër që për të kanë
udhëtuar disa nga tifozët më të zjarrtë, ata “Guerrils” dhe përgjegjësia
shtohet. Për ta është transferta e nëntë europiane. Në bisedë me shefin e
sigurisë dhe menaxherin e Partizanit, delegati i UEFA-s interesohet për grupimin
“ultras”. Një verë që sapo ka nisur në Europë.
Fytyra e trajnerit Gega tregon se e di sa peshon kjo ndeshje.
Në këtë përballje të dy ritmeve plotësisht të kundërta, qetësisë estoneze dhe
tensionit shqiptar, Partizani po kërkon ekuilibrin. Për herë të parë luan në
tokën estoneze dhe e ka kuptuar se duhet të ruajë qetësinë. Kjo është arma më e
fortë këtu, ku tashmë po perëndon dhe ora shënon 22:45…
No comments:
Post a Comment