Nga Ilir Demalia
Më 1 korrik 2025, u mbush një
vit nga ndarja nga jeta e Ismail Kadaresë, shkrimtarit më të njohur shqiptar të
shekullit XX. Një përvjetor që duhej të ishte reflektiv, analizues dhe një
moment i çmuar për të diskutuar trashëgiminë e tij, u kthye në një paradë
ceremonialesh që më shumë ngjanin me kujtimet e diktatorit Enver Hoxha se sa me
mënyrën perëndimore të përkujtimit të figurave letrare.
Akademia e Shkencave dhe
Kuvendi i Shqipërisë organizuan ceremoni përkujtimore me tone të larta
patriotike, lavdëruese, të shoqëruara nga fjalime që në frymë e fjalor do të
kishin qenë më të përshtatshme për një kongres partie sesa për një vlerësim të
një autori të letërsisë moderne. Kryetarja e Kuvendit u shqua për pathosin e
saj të papërmbajtur, që të kujtonte ligjëratat e Lenkës së Byrosë Politike.
Në këtë atmosferë ku dominonte
hiperbola dhe adhurimi publik, mungoi ajo që është më e nevojshme sot: analiza
kritike. Nuk u fol për Kadarenë si autor i formuar në një sistem totalitar. Nuk
u diskutua për marrëdhënien e tij me pushtetin. Nuk u përmend asnjë nga veprat
që ai i kushtoi udhëheqësit komunist (Dimri i Madh) apo qindra vargjet për
partinë, për shokun Enver, për Stalinin.
Pse heshtim? Pse kemi frikë të
flasim për kompleksitetin?
Kadare është padyshim një nga
shkrimtarët më të mëdhenj që ka prodhuar letërsia shqipe. Ai modernizoi prozën,
solli në letrat shqipe mitin, simbolin, dhe një frymë evropiane që mungonte.
Por ai është një autor që ka ekzistuar brenda një sistemi represiv dhe ka
shkruar nën hijen e tij. Si çdo shkrimtar i madh i një vendi të vogël e të
izoluar, ai u përball me dilema: të ekzistonte duke u përshtatur, apo të
fshihej dhe të heshtte. Zgjodhi të ekzistonte.
Në vend që këto dilema të
trajtohen në mënyrë serioze, diskutohet për mauzoleum për shkrimtarin, për
propozime që do i kishin bërë nder vetëm ndonjë perandori lindore, jo një vendi
që pretendon të jetë pjesë e familjes evropiane.
Një zë i ri tregonte me krenari
që kishte bërë 11 intervista me Kadarenë dhe ai nuk i kishte refuzuar asnjë.
Por intervistat nuk janë analiza. Dhe vepra letrare nuk matet me frekuencën e
intervistave, por me përmbajtjen, kontekstin, ndikimin dhe mënyrën se si
përballon kohën.
Letërsia jonë nuk është vetëm
Kadare
Një nga gabimet më të mëdha që
përsëritet në këto përkujtimore është paraqitja e Kadaresë si i vetmi shkrimtar
që i ka dhënë diçka letërsisë shqipe. Kjo është historikisht e pasaktë dhe
intelektualisht e dëmshme. Letërsia shqipe nuk është një monolog. Ajo është një
kor. Kadare është një zë i fuqishëm brenda këtij kori, por jo i vetmi.
Pa Buzukun, Barletin, Bardhin,
Fishtën, Konicën, Mjedën, Koliqin,Poradecin, Petro Markon, Migjenin, pa Kutelin, pa Martin Camajn, pa
Arshi Pipën, pa Agollin, pa Kongolin, pa Pashkun, pa dhjetëra të tjerë, ne nuk
mund të ndërtojmë dot historinë letrare moderne shqiptare. Dhe më keq akoma:
nëse historia e letërsisë reduktohet në një emër të vetëm, atëherë ajo kthehet
në mit, jo në dijeni.
Çfarë fshihet pas kësaj mënyre
përkujtimi?
Mënyra si u përkujtua Kadare na
tregon diçka më të thellë: se mendësia komuniste nuk ka vdekur, vetëm ka
ndryshuar formë. Adhurimi i figurave publike, mungesa e debatit kritik,
ceremonia si zëvendësim i analizës — janë të gjitha simptoma të një kulture që
nuk ka hyrë ende në pluralizëm të vërtetë kulturor.
Në Perëndim, për figurat e
mëdha bëhen konferenca, shkruhen analiza, ngrihen polemika. Victor Hugo,
Balzac, Hemingway, Gëte — janë autorë që nderohen, por edhe analizohen pa
frikë. Sepse vetëm kështu ruhet vlera e tyre: duke i parë nga të gjitha këndet,
jo vetëm nga njëra.
Kadare nuk ishte shenjt. Ai
ishte një shkrimtar i madh që jetoi një jetë komplekse, në një kohë të
vështirë, dhe që nuk u shkëput kurrë plotësisht nga pushteti. Ai ndërtoi një
vepër të gjerë, të përbërë nga romane, ese, poezi dhe polemika. Por edhe nga
heshtje, rreshtime, dhe luftëra të brendshme.
Nderimi i vërtetë kalon nga
analiza
Po të kishte një mënyrë për të
nderuar Kadarenë me dinjitet, ajo do të ishte një konferencë kombëtare për
veprën dhe rolin e tij në diktaturë dhe pas saj. Një ballafaqim i hapur me
pjesët e errëta dhe të ndritshme të veprës së tij. Një leximi i ri përmes
optikës së post-totalitarizmit. Një hapësirë për të thënë se vepra e tij është
pjesë e trashëgimisë sonë, por jo gjithçka që kemi.
Deri atëherë, çdo përvjetor i
Kadaresë që kthehet në shfaqje idhujtarie është një simptomë e mungesës sonë
për të kuptuar se si duhet të ndërtojmë raportin me të shkuarën — dhe me
figurat që ajo ka prodhuar.
No comments:
Post a Comment