Kantina Duka – Shije shqiptare që udhëton botën

Reklamë

LAJMI I FUNDIT:

Post Top Ad

Your Ad Spot

Thursday, July 3, 2025

“Ismail Kadare, një alkimist modern në kohën e shpresës së vdekur”, Elisa Spiropali nderon shkrimtarin

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, mbajti një fjalim në nderim të veprës dhe jetës së shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë një vit më parë.



Në fjalën e saj, në një aktivitet të zhvilluar nga Kuvendi dhe Akademia e Shkencave, Spiropali e përshkroi Kadarenë si një ikonë të përjetshme të mendjes dhe shpirtit shqiptar.

Ajo nënvizoi rolin e Kadaresë si pasaportë e Shqipërisë në botë gjatë periudhave të izolimit dhe sfidave historike, si dhe kontributin e tij në lidhjen shpirtërore dhe kulturore mes Shqipërisë dhe Kosovës.


“Kadare u shndërrua në pasaportën e Shqipërisë atëherë kur vetë Shqipëria ishte brenda kafazit të izolimit, ishte dallga e qytetërimit të një Shqipërie të mbytur nën duhmën orientale të gjirokastritit tjetër të Sokakut të të Marrëve, si një shpagë që qyteti i gurtë ia ofronte vendit nga dy skajet e të mirës dhe të keqes. Si për t’i kthyer vetë qytetit borxhin për të gjithë vendin”, – tha ndër të tjera Spiropali.


Ajo theksoi se Kadareja ishte simbol i dinjitetit dhe mendimit të pavarur, një përpjekje e jashtëzakonshme për të shpëtuar qenien shqiptare përmes letërsisë.


Fjala e plotë e Kryetares Elisa Spiropali

E dashur Helena,
I nderuar Kryetar i Akademisë së Shkencave, z. Gjinushi,
Të nderuar akademikë, shkrimtarë, poetë, deputetë e të ftuar,
Zonja dhe zotërinj,

Sot nuk jemi këtu vetëm për të nderuar më të pazakonshmin e njeriut shqiptar që iku, por për të qëndruar në heshtje përballë një ikone që do të mbetet mes nesh si dëshmi e gjallë e mendjes dhe shpirtit shqiptar.

Kur largohet një shkrimtar i përmasave të Ismail Kadaresë, fjala është gjithçka që mund të kemi – dhe njëkohësisht ajo bëhet gjithçka që ka rëndësi. Sepse, megjithatë, vetëm fjala mbetet.

Dhe është pothuaj e pamundur të gjejmë fjalët e duhura për mjeshtrin e shqipes që krijoi një univers të tërë – njëherazi të njohur dhe të panjohur, të largët dhe të afërt, një simbiozë e rrallë mes të kaluarës dhe të ardhmes, përmes kujtesës dhe imagjinatës.


Një personazh i njërit prej romaneve të tij tragjikë do të thoshte me qetësi:
“Erdha të flas, jo të lavdëroj Ismail Kadarenë.”
Sepse Kadareja nuk ka nevojë për lavdërime. Ai ishte dhe mbetet vetë lavdia.


Në jetën e tij, si në krijimtarinë e tij, ai nuk kërkoi zbukurime – ishte përbuztar ndaj tyre!
I qetë në vetmi, i rezervuar në publik, por përherë i gjallë në fjalë, Kadare mbetet simbol i dinjitetit, i mendimit të pavarur dhe i një përpjekjeje të jashtëzakonshme për të shpëtuar qenien shqiptare përmes letërsisë.

Në meritë e tij homerike, ai mbetej dashësi më i madh i kësaj toke!


Në veprën e tij, vdekja dhe përsosmëria nuk janë të ndara. Ja ç’shkruan për të dyja:

“E ndjeja atë lodhje morti që po më kaplonte prapë risjellja ndër mend e epilogut të librit, në vend që të më jepte një shkas më tepër për ta pezulluar, më bëri të mendoja se po të ishte puna për t’u përsosur, pra për ta pësuar, do të ishte me të vërtetë një fat që ta pësoja nga kjo mrekulli... Ai epilog i kishte të dyja, përsosjen dhe vdekjen, ngaqë një fat i tillë e kushtëzonte herë pas here artin: s’mund të ishte i përsosur pa qenë i mbaruar.”


Kadare ishte një vëzhgues i përbindshëm i jetës dhe ndjesive më të vogla: zgjimi me një filxhan kafe, një bisedë e mbetur përgjysmë, një zhgënjim miqësor, një kravatë e re apo një heshtje që zgjat më shumë se duhet.

Në këto gjëra të përditshme, ai ndërtonte universin e tij të thellë, ku lexuesit ftoheshin për bashkëjetesë. Aty ishte antikiteti dhe e nesërmja, shqiptari dhe bota, Shqipëria dhe Europa!


Kadareja ndërtoi dy univers: njërën personale, ku sundonte si një zot – shpesh i mëshirshëm, herë hakmarrës, por gjithmonë njerëzor; dhe tjetrën, që ia dhuroi njerëzimit – një botë me përmasa mitike, por me themele reale, ku Shqipëria dhe shqiptaria gjenin formën më të lartë të vetvetes.

Ai udhëtoi si një Dante modern, duke pasur pranë jo vetëm Beatriçen e tij – Helenën – por edhe kujtesën, mitin, identitetin, tragjedinë dhe ëndrrën.


Kadare ishte nga raca e qiellorëve, gjenialëve, profetëve. Ai i dha zë Kosovës në Shqipëri dhe tregoi Shqipërinë në Kosovë si dy gjysma të trupit të një kombi të aksidentuar nga historia.


Në fund, Elisa Spiropali përmbylli fjalën e saj me këtë homazh:

“Ta nderojmë, respektojmë, kujtojmë në pafundësi, është më e pakta që duhet dhe mund ta bëjmë për atë që erdhi na fali gjithçka, dhe iku pa na marrë asgjë.”

No comments:

Post a Comment

Post Top Ad

Your Ad Spot