Trajneri i PSG-së, Luis Enrique, ka thyer heshtjen pas një incidenti të bujshëm pas finales së Botërorit të Klubeve, ku Chelsea mposhti PSG-në me rezultatin 3-0. Pas përfundimit të ndeshjes, një përleshje masive shpërtheu mes lojtarëve të të dyja skuadrave, ku u përfshinë emra si Cole Palmer, Joao Pedro, Gianluigi Donnarumma dhe Fabian Ruiz.
Gjithçka kulmoi me një përplasje të drejtpërdrejtë mes
trajnerit Enrique dhe sulmuesit brazilian Joao Pedro, të cilin spanjolli
dyshohet se e ka goditur me shuplakë, ndërsa portieri Gianluigi Donnarumma e
shtyu, duke e rrëzuar në tokë.
Incidenti nisi pasi Pedro u afrua për të mbrojtur shokun e
skuadrës Andrey Santos, i cili ishte përfshirë në një përplasje me lojtarët e
PSG-së. Trajnerët e të dyja skuadrave ndërhynë në tentativë për të ndalur
konfliktin, por situata doli jashtë kontrollit.
Luis Enrique, në deklaratën e tij pas ndeshjes, tha: “Në fund
të ndeshjes ndodhi një situatë që mendoj se mund të shmangej nga të gjithë.
Qëllimi im ishte të ndaja lojtarët dhe të shmangia përshkallëzimin. Kishte
shumë tension, shumë presion, dhe përplasjet ishin të panevojshme. Unë
gjithmonë përpiqem të parandaloj situata që mund të dalin jashtë kontrollit.”
Megjithatë, FIFA pritet të hapë një hetim disiplinor ndaj
Enrique, edhe pse nuk ka ndeshje nën juridiksionin e saj për PSG-në deri në
dhjetor, kur kampionët e Champions League do të përfaqësojnë Europën në Kupën
Ndërkontinentale. Kjo do të thotë se ndëshkimi më i mundshëm për Enrique është
një pezullim me kohë – një periudhë gjatë së cilës atij do t’i ndalohet çdo
aktivitet stërvitor apo drejtim skuadre.
Ish-gjyqtari spanjoll Eduardo Gonzalez komentoi: “FIFA nuk ka
nevojë të japë kartonë në këtë rast – ata mund ta dënojnë me pezullim në kohë.
Nëse i japin një pezullim njëmujor, Enrique nuk do të mund të drejtojë ekipin
apo të marrë pjesë në stërvitje gjatë asaj periudhe.”
Ai shtoi se prekje të tilla ndaj kundërshtarëve janë të
dënueshme: “Nuk mund të prekësh fytyrën e një kundërshtari, aq më tepër pas
ndeshjes. Nuk ka rëndësi emri, por veprimi. Dhe veprimi është i dënueshëm.”
Ky precedent i ndëshkimit me kohë është përdorur më parë nga
FIFA, si në rastin e Luis Suarez, i cili në vitin 2014 u pezullua nga çdo
aktivitet futbollistik për katër muaj pasi kafshoi Giorgio Chiellinin gjatë
Kupës së Botës.
Nga ana tjetër, Joao Pedro ka dhënë versionin e tij: “Unë
shkova të mbroja Andreyn sepse pashë që lojtarët e tyre e rrethonin. Si çdo
brazilian, doja të mbroja shokun tim. U përfshiva në rrëmujë dhe përfundova
duke u shtyrë. Kjo është pjesë e futbollit. Ata humbën kontrollin, por ne
fituam turneun dhe kjo është ajo që ka rëndësi.”
FIFA ende nuk ka konfirmuar nëse ka nisur zyrtarisht
procedurat disiplinore ndaj Luis Enrique apo ndonjë personi tjetër të përfshirë
në incident.
No comments:
Post a Comment