Flora Xhemani Baba, gazetare dhe eksperte e njohur e turizmit, thotë se vila turistike e Aida Gjeçaj në zonën e Thethit është djegur nga banorët e zonës, menjëherë pasi IKMT nisi shembjet e objekteve të paligjshme, nga inati se ajo ishte e ftuara e kryeministrit Edi Rama në podkast.
Vetë Aida Gjeçaj ka deklaruar se nuk ka pasur konflikt me
askënd, por ka pohuar publikisht se zjarri në restorantin e saj ka qenë i
qëllimshëm. Ajo deklaroi se edhe ekipet zjarrfikëse e kishin njoftuar se
energjia kishte vazhduar të ishte e ndezur edhe pasi vila kishte marrë zjarr,
duke rrëzuar teorikisht idenë se zjarri vinte nga shkëndija elektrike.
Shënimi i plotë i gazetares dhe ekspertes Flora Xhemani Baba:
S`keni çfarë t`i bëni shtetit dhe i bini Aidës
Gjithë këto ditë të Katrahurës së Thethit, kam marrë shumë
mesazhe në inbox ku njerëz të ndryshëm më thonë “pse nuk prononcohesh edhe ti
për Thethin, se ti je e turizmit dhe duhet të flasësh”. Ose “po ti çfarë
mendimi ke për Thethin, a je dakord që po prishen ndërtimet e bizneseve apo je
kundër”.
Dhe në fakt kam qenë në një dilemë të madhe, nëse duhet ta
them edhe unë fjalën time apo jo, me tagrin një njeriu që e njeh mirë terrenin
turistik prej njëzet vjetësh dhe bashkë me të, edhe problematikat e tij të
shumta. Dhe po të mos ishte djegur restoranti i Gjeçajve, ndoshta nuk do t`i
shkruaja as këta rreshta.
Në të njëjtën dilemë të fortë nëse duhet të flas apo jo, kam
qenë edhe kur Marjana Koçekut iu dhurua një mandat deputeje dhe ajo pa u
menduar dy herë, e pranoi këtë dhuratë, duke e ndërruar xhubletën
katërmijëvjeçare të Neomalësores, që e ekspozonte plor hir rrugëve e panaireve
të Berlinit, me kostumin katërmijëeurosh të deputetes, që do ta ekspozojë në
shtator në pasarelën e Parlamentit.
Në rastin e Marjanës, stepesha e nuk e thosha mendimin tim,
sepse nuk doja të interpretohej si dashakeqësi, apo qoftë edhe si zili e
llojit, për një yll në ngjitje të turizmit, e cila në shumë pak kohë arriti
majat e famës. Ose nuk doja t`i vihesha kundër një komuniteti të tërë që e
brohoret në Fejsbuk e që ndoshta e shihte/e sheh si “zërin e tyre në qeverri”.
Ky komunitet e ka të pamundur ta kuptojë se braktisja e kullës dhe e misionit
të turizmit të vështirë të maleve për një karrige deputeti nga një vajzë e re
që frymëzonte një brez të tërë, ka vrarë keqas shpresat dhe ëndrrat e mijëra të
rinjve të tjerë që ashtu si Marjana dikur Neomalësore, mund të përkëdhelnin
idenë e kthimit “te rrâja” dhe rivitalizimit të kullave të Dukagjinit, të
Alpeve apo të zonave të tjera të braktisura të Shqipërisë.
Por Marjana i la të rinjtë e frymëzuar prej saj në ëndrrat e
tyre dhe vetë vrapoi drejt Parlamentit e ku i dihet, nesër edhe drejt
Ministrisë së Turzimit, sepse i Madhi ynë e ka treguar se mund t`i bëjë
ministre edhe vajzat e vogla e pa përvojë si Neomalësorja dhe në shoqërinë
shqiptare askush nuk çuditet më me këto katapultime ku sot je askush e nesër
gdhihesh ministre, sot je Edona e nesër “s`e dona ma”.
Por le të kthehemi tek Thethi
Unë nuk kisha ndër mend të thosha asgjë, sepse fjalën time e
kam thënë me kohë dhe jo vetëm një herë, dhe jo vetëm për Thethin. Për
Valbonën, për Thethin, për Lumin e Shalës, për Dhërmiun, për Jalin për Palasën,
për Sarandën, për Golemin dhe për çdo zonë turistike ku masakrat ndërtimore
kanë shëmtuar keqas peisazhin dhe e kanë bërë zonën të pakualifikueshme. Kam
folur atëherë kur ishim në kohë për t`i bërë gjërat mirë e të ruanim çfarë
kishte mbetur e paprekur. Sot është vonë.
Shpeshherë kur kam folur, kam marrë mbi vete edhe pakënaqësinë
e institucioneve, si llafazane grindavece që nuk i rri goja, por edhe atë të
bizneseve (sidomos atyre në Alpe), sepse kam kritikuar ndërtimet e drurit, si
çibanë që përdhosin imazhin e kullave shekullore dhe identitetin krenar të
Alpeve tona. Nuk kam dashur të bëj kompromis me të keqen dhe të zgjidhja
variantin “ç`më duhet mua të kruhem kot, më mirë shoh punën time dhe jam
rehat”, sepse po u strukëm të gjithë në rehatinë tonë dhe të tërhiqemi siç jemi
tërhequr, do të ndodhë kjo që po ndodh dhe dikush tjetër do të marrë vendime
për ne. Vendime që siç duket qartë nën dritën e diellit nuk janë aspak në
shërbim të komunitetit por thjesht interesa të një pale kundrejt një pale
tjetër.
Kush e ka fajin për situatën e sotme të ndërtimeve në Theth
dhe kudo në Shqipëri?
Pa asnjë dyshim dhe asnjë ekuivok: SHTETI.
Shteti nuk i ka pajisur banorët e Thethit me çertifikata
pronësie për toka e për kulla që ata i trashëgojnë prej brezash edhe pse vetë
banorët e kërkojnë këtë gjë me ngulm, sidomos ata që kanë investuar në turizëm.
Shteti nuk ka bërë asnjë plan zhvillmi për zonat turistike dhe
fshatrat me trashëgimi kulturore brenda zonave të mbrojtura, as kur u bë
projekti “100 fshatrat”.
Shteti e lejoi masakrën të ndodhte ditën për diell dhe me vite
të tëra, derisa vala e saj mbuloi kambanaren e kishës ikonike, që është simboli
botëror i turizmit në Shqipëri.
Shteti shkoi para zgjedhjeve dhe u premtoi banorëve se do t`i
legalizonte të gjitha ndërtimet turistike me “Paketën e Maleve”, madje ftoi
edhe emigrantët të ktheheshin në vendlindje për të investuar.
Në fund, si për t`i vënë kapak të gjithave, shteti çon
fadromat në mes të sezonit turistik dhe rrafshon ndërtimet, shumë prej të
cilave janë mundi i një jete të tërë ose kredira që duan dekada të paguhen në
bankat tona gjakpirëse.
Pse i bën shteti të gjitha këto?
Dy janë përgjigjet e mundshme; ose sepse nuk i intereson fare
turizmi dhe mirëqenia e komunitetit lokal, ose se ka axhendë tjetër dhe aty
kërkon të “mbjellë” Paketën e Maleve” me investitorë strategjikë. Tani për tani
askush nuk e di por koha do ta tregojë.
Ndoshta e bën edhe sepse deri tani nuk ka pasur as forcën as
dëshirën për të vënë nën kontroll paligjshmërinë por befas është zgjuar dhe do
të tregojë dhëmbët.
Le të kthehemi tek banorët e Thethit.
Historia e Thethit turistik të postkomunizmit filloi kur GIZ
(ish-GTZ) i mësoi malësorët se si t`i kthenin kullat në bujtina dhe historitë e
tyre me kreshnikë e zana, t`ua tregonin turistëve mbëmjeve ndanë zjarrit. Dhe
përsa kohë Thethi kishte vetëm kullat për bujtina, ishte një mrekulli turistike
- pa rrugë vërtet - por plot me gjermanë që mahniteshin me këtë bukuri
tronditëse, që gdhiheshin mëngjesve duke shijuar gatimet e thjeshta të Nanë
Lules së Gjeçajve, apo të bujtinës së Harushajve, Rupajve e kështu me radhë,
dhe merrnin në këmbë shtigjet për tek Ujvara a tek Syri i Kaltër, ku sot
gëlojnë furgonat.
Pastaj dalëngadalë, turistët u shtuan e po ashtu edhe oreksi i
thethjanëve për të fituar më shumë e për të mos i lënë turistët të ktheheshin
mbrapsht. E kështu filluan duke shtuar dhoma (domethënë kolibe druri) dhe duke
blerë ushqime në qytet, sepse të gjithë u bënë bujtinarë dhe i braktisën
bagëtitë prej nga vinte bylmeti. Derisa erdhi një ditë që në Theth kishte më
shumë kolibe druri se kulla.
Petrit dhe Aida Gjeçaj, çifti i Familjes Gjeçaj, janë ndër
pionierët e parë të turizmit në Theth. Kur Petriti ndërtonte faqe interneti për
Thethin me emrin Thethi Guide, shumë prej atyre që kanë ndërtuar sot barakat në
Theth, nuk e dinin ku binte turizmi dhe shumë prej bujtinave nuk pranonin as të
futeshin në këtë faqe e jo më fjala vjen të jepnin kontribut për mbajtjen e
saj. Kur Petriti shenjonte shtigjet e Thethit dhe Aida bënte udhërrëfyesen për
turistët e huaj, duke e çuar famën e Thethit deri në Amerikë e Japoni,
thethjanët kishin ra të gjithë në Shkodër, duke kërkuar punë në ndërtim. Kur
numri i turistëve në Theth u shtua, Petriti nuk bëri vila druri nga 10 mijë
euro copa, që ngriheshin për dy ditë por mori kredi dhe ndërtoi një kullë
tjetër dhe rindërtoi kullën e familjes sipas modelit të vjetër. Dhe kjo punë i
hëngri jo pak por pesë vjet dhe një thes me borxhe, që ende nuk i ka shlyer.
Kur turistët u shtuan më shumë dhe nuk kishin ku të hanin, që
të mos blinin patatina në market, Aida ngriti një restorant, me konstruksione
të lehta druri e panele diellore, duke ofruar vetëm gatimet e vendit e duke mos
bërë kompromis me lëndën e parë, edhe pse shumë e vështirë për ta siguruar në
malësi tashmë.
Kur me shtrimin e rrugës ndërtimet e drurit po përmbytnin
Thethin, Boga u marros pas trekëndëshit barabrinjës të Arbanës dhe zuri të
ndërtonte shtëpi kineze, Aida u bë zëri që kërkonte të ruhej Thethi i
dikurshëm, ai i kullave dhe trashëgimisë. Dhe bashkëfshatarët e saj, në vend që
t`i thërrisnin mendjes për dëmin e
pariparueshëm që po i bënin Thethit, i binin Aidës “pse flet kundër nesh”. Kur Aida pranoi të ishte e ftuara e kryeministrit
në podkastin e tij, edhe pse kërkoi të njëjtat gjëra që kishte kërkuar jashtë
studios - të ruhej Thethi i kullave dhe t`u jepej pronësia banorëve,
bashkëfshatarët e saj prapë e akuzuan si pjesë të qeverisë.
Kur qeveria në vend që t`u jepte çertifikatat që premtoi,
erdhi e ua shembi kolibet e drurit, banorët nuk i ranë qeverisë, që ua ktheu në
gërmadha brenda natës kursimet e një jete, pasi ua la po vetë t`i ndërtonin
paligjshmërisht. Ata i ranë Aidës se kishte folur kundër tyre, në mbrojtje të
trashëgmisë së Thethit. Aida është armiku. Asaj t`i biem.
Malësorët e Thethit nuk i kthehen dot qeverisë, që në fillim i
lejon të shkelin ligjin, pastaj u premton që do t`ua falë shkeljen, pastaj e ha
fjalën dhe u sjell fadromat t`u rrafshojnë bizneset.
Ata qajnë e qurraviten para uniformave të shtetit, të
pafuqishëm ta zmbrapsin atë por trimërohen me pishtar në dorë para restorantit
të Aidës, pa e kuptuar që shteti i ka thyer në armiq të njëri-tjetrit, ata, që
duhet të jenë një komunitet më një zë të vetëm, duke u bërë dëmin më të madh;
humbjen e identitetit të malësorit dhe shkatërrimin e Thethit si destinacion
turistik.
No comments:
Post a Comment