Nga KRESHNIK SPAHIU
Po e nis me konkluzionin
politik:
Qeveria nuk duhej të kishte
nisur aksionin e buldozerëve në mes të sezonit turistik.
Prej disa ditësh, nuk po gjej
një arsye logjike pse qeveria e filloi sulmin kundër ndërtimeve të paligjshme
në mes të korrikut dhe nuk priti deri në tetor?
Megjithatë, përjashtuar kohën
krejtësisht të papërshtatshme, prishja e ndërtimeve pa leje është ligjore, për
disa arsye:
1. Sipas nenit 199/a të Kodit
Penal, ndërtimet e paligjshme në tokë me destinacion pyjor, bujqësor ose në
zona të mbrojtura dënohen me burgim nga një deri në pesë vjet.
2. Ndërtimet pa leje nuk
parashkruhen administrativisht, që do të thotë se nuk legalizohen automatikisht
pas 10 apo 20 vitesh. Parashkrimi zbatohet vetëm për ndjekjen penale, por jo
për objektin. Argumenti “pse IKMT nuk i prishi më parë” nuk është justifikim
ligjor për të mos vepruar më vonë.
3. Justifikimi se ndërtime të
paligjshme ka në gjithë Shqipërinë është dëshmi e dështimit të shtetit, por jo
arsye ligjore për të legalizuar ndërtimet në Theth. Nëse qeveria Rama ka
dështuar si ajo e Berishës për të kontrolluar territorin, kjo nuk e legjitimon
anarkinë e barakave pa leje.
4. Shumë nga subjektet që kanë
ndërtuar në Theth pretendojnë pronësi, por nuk janë njohur ligjërisht si
pronarë. Pa një titull pronësie, askush nuk ka të drejtë për ndërtim të
përkohshëm apo të përhershëm.
5. Sipas ligjit, IKMT duhet t’u
faturojë shpenzimet e prishjes ndërtuesve pa leje. Madje, fillimisht duhet t’i
detyrojë që ta prishin vetë ndërtimin (kioskat, kaninat apo bujtinat).
6. Kisha e ndërtuar në
shekullin XIX është objekt kulturor dhe historik, që mbrohet nga shteti dhe nuk
mund të rrethohet nga baraka, as me bekimin e priftit të fshatit.
7. Ndërtimet turistike nuk mund
të fillojnë në Theth pa përfunduar më parë investimet në infrastrukturën
bazike: ujë, energji, kanalizime, rrugë, shërbime dhe mbrojtje mjedisore.
Hotelet dhe bujtinat ndërtohen në fund, jo në fillim.
8. Shteti duhet tu sigurojë
banorve kredi dhe ndihma për rindërtuar sipas një plani bujtinat dhe bizneset e
tyre në zonë
Ligji duhet të funksionojë
njësoj për Gjirokastrën dhe për Thethin.
Egërsia politike me të cilën
mbrohet betonizimi i Thethit është thellësisht provinciale.
Beteja për të mbrojtur
“kioskat” pa leje është e humbur 25 vjet më parë kur në Tiranë u prishën 800
“kioska 3-4 katshe” në Parkun Rina dhe buzë Lanës. Kushdo që ka iluzionin se do
bjerë qeveria nga protestat e Thethit i ka bër llogaritë gabim. Shqiptarët
lumturohen kur ja prish “kioskën” komshiut.
Sigurisht shteti ka
përgjegjsinë që ende s’ka përgatitur një plan dhe kuadër ligjor.
E drejta e pronës është bazike
për shoqërinë.
Pa dyshim që banorët e Thethit
duhet të kenë prioritet, por atëherë kur të kuptojnë se Thethi është një pasuri
kombëtare dhe jo një republikë e pavarur.
Sigurisht që malësorët e
Thethit kanë të drejtë të kërkojnë tokat në pronësi e tyre 500 vjeçare, madje
edhe leje ndërtimi mbi tokë, por të njëjtën të drejtë kishin edhe tironcit apo
qytetarët autokton të cilët kanë 35 vite kërkojnë çliririmin e “tokave të
Xanuna” në kryeqytet nga të ardhurit.
Si do ndjeheshin sot ata, nëse
tironcit do shkonin t’ja u “zaptonin” tokat që trashëgojnë nga gjyshrit e tyre
sipas Kanunit?
Prandaj nëse duan një Theth dhe
Shqipëri demokratike, duhet ta ndërtojnë mbi ligjin apo të drejtën e pronës por
edhe të bazuar mbi interesin kombëtar dhe publik.
Thethi është zemra Shqipërisë
dhe krenaria jonë, por mos e groposni duke e golemizuar dhe betonizuar më keq
se "Shkëmbi i Kavajës".
No comments:
Post a Comment