Nga Amos Chapple, REL
Më 1 qershor, rrjetet sociale u vërshuan nga pamje të disa
sulmeve me kuadkopterë – një lloj droni – përmes të cilëve Shërbimi i Sigurisë
së Ukrainës kreu sulme ndaj bazave ajrore ruse, duke shkatërruar shumë mjete
ajrore me rreze të gjatë veprimi.
Këto video me siguri janë duke u studiuar tani në dhomat
ushtarake të planifikimit.
“Ky sulm duhet të jetë një zile zgjimi për ushtritë në gjithë
botën”, ka thënë Stacie Petttyhohn, drejtore e Programit për Mbrojtje në
Qendrën për Studime të Reja Amerikane, në disa përgjigje për Radion Evropa e
Lirë.
“Në shumë drejtime, sulmi i 1 qershorit ka qenë më efektiv
sesa ato që janë kryer nga dronët me rreze të gjatë, sepse dronët e vegjël mund
të shpërndahen, të navigojnë në shënjestra tjera dhe të godasin saktë në disa
shënjestra nëpër baza të mëdha ajrore”, ka thënë kjo eksperte dronësh.
“Pika kryesore e këtij sulmi ishte infiltrimi dhe operacionet
shumë afër bazave ajrore, të cilat duket se kanë qenë të mbrojtura lehtë, sepse
pakkush mund të jetë shqetësuar për mundësinë e Ukrainës që të sulmojë kaq
thellë në Rusi”, ka thënë ajo.
Ende mbetet e paqartë se prej nga janë manovruar dronët.
Ukraina pretendon se çatitë e kamionëve që kanë bartur flotën e fshehtë të
dronëve janë hapur nga distanca, për të mundësuar nisjen e kuadkopterëve.
Kuadkopterët që kontrollohen prej larg, zakonisht kanë
probleme me komunikim teksa i afrohen shënjestrës. Megjithatë, në disa pamje që
janë duke qarkulluar prej njërit dron sulmues, shihen imazhe krejtësisht të
qarta, që dalin vetëm prej kuadkopterëve të kontrolluar me kabllo.
Dronë të tillë janë të limituar në rrezen që mund të
përshkojnë, varësisht nga gjatësia e kabllos.
Përderisa lansuesit mobilë të Ukrainës janë parkuar vetëm pak
kilometra larg bazave ruse, ky kufizim është tejkaluar, dhe pasojat kanë qenë
shkatërruese.
Kievi pretendon se 41 avionë rusë janë shkatërruar. Një bloger
me ndikim dhe pro-Kremlinit, vlerëson se dhjetë avionë janë shkatërruar.
Një bombardues rus TU-95, i fotografuar më 2008. Shumë pajisje
tjera ajrore janë shkatërruar në sulmin e 1 qershorit.
Michael Boyle, profesor në Universitetin Rutgers dhe autor i
një libri për luftën me dronë, ka thënë se “ekzistojnë plot strategji kundër
dronëve, por që ato bëhen të padobishme kur është fjala për dronët me kabllo të
fibrit optik, dhe ushtritë duhet t’i rimendojnë strategjitë për t’u përballur
me dronë të fibrit optik, edhe nëse sulmet sikurse ato kundër Rusisë janë të
rralla dhe vështirë të përsëritshme”.
Tymi shihet duke dalë prej bazës ajrore Belaja në rajonin rus
Irkutsk, pas sulmeve ukrainase me dronë.
Bazat ajrore të ushtrisë mbrohen me sisteme shtresore, që
shpesh përfshijnë radarë për të detektuar ndonjë kërcënim në ardhje, si dhe
sisteme raketore dhe pajisje tjera që dizajnohen për t’i çorientuar dronët që
kontrollohen me radio nga larg.
Taktika të tilla kanë qenë pothuajse të padobishme kundrejt
sulmit të fundit. Duke fluturuar në distancë të vogël, dronët kanë arritur në
shënjestër pa aktivizuar paralajmërimin e radarit.
Në disa video të 1 qershorit mund të dëgjohet vetëm zhurma e
disa armëve të vogla, përmes së cilave zyrtarët rusë tentojnë t’i rrëzojnë
kuadkopterët.
Një bombardues rus TU-22 me rreze të gjatë, i fotografuar në
gusht të vitit 2007. Shumë pajisje ajrore janë shkatërruar në sulmet e 1
qershorit, të kryera me dronë.
Koloneli Markus Reisner, udhëheqës i Akademisë për Kërkime dhe
Zhvillim në ushtrinë austriake, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se sulmet e
tregojnë “shijen e luftës të së ardhmes”.
Reisner ka thënë se prej nisjes së luftës, Moska e ka sulmuar
Ukrainën duke përdorur “raketa me rreze të gjatë dhe bombarduesit TU-95.
Përgjatë sulmeve me këto armë, bombarduesit nisin raketat nënujore me rreze të
gjatë prej një distance të sigurt. Prandaj Uraina ka tentuar vazhdimisht që t’i
heqë qafe këta bombardues të rëndë”.
Pavarësisht se raportimet e cilës palë për dëmet rezultojnë të
jenë të vërteta, Reisner beson se operacioni ukrainas “do të kontribuojë
dukshëm në intensitetin e sulmeve ajrore ruse në Ukrainë”.
Një pamje e publikuar nga Shërbimi Ukrainas i Sigurisë që
tregon dronët e fshehur në një çati të improvizuar.
Sipas analistes ruse, Natalia Shavshukova, në bisedimet për
paqe mes Ukrainës dhe Rusia, të lehtësuara nga Shtetet e Bashkuara, të
zhvilluara më 2 qershor, pala ukrainase ka pasur pozicion negociator më të
fuqishëm për shkak të sulmit të 1 qershorit.
Analistja e pavarur ka thënë se “herën e kaluar, Kremlini e ka
demonstruar fuqinë e tij duke treguar se nuk synon të ndalë bombardimin e
qyteteve ukrainase, edhe nëse përballet me thirrje për armëpushim nga të gjitha
anët. Tani, Ukraina e ka demonstruar fuqinë e vet dhe aftësinë për të kryer
operacione të sofistikuara thellë brenda linjave të armikut, pavarësisht të
gjitha sfidave”.
No comments:
Post a Comment