Donald Trump thotë se SHBA-të kanë përfunduar sulmet në tre
centrale bërthamore në Iran, duke përfshirë Fordow, Natanz dhe Esfahan.
“Ne kemi përfunduar sulmin tonë shumë të suksesshëm në tre
centralet bërthamore në Iran, duke përfshirë Fordow, Natanz dhe Esfahan. Të
gjithë aeroplanët tani janë jashtë hapësirës ajrore të Iranit”, shkroi ai në
Truth Social.
Trump shtoi se një “ngarkesë e plotë bombash” u hodh në Fordo
dhe të gjithë aeroplanët ishin në rrugën e tyre për t’u kthyer në SHBA.
Bombarduesit B-2 ishin të përfshirë në sulmet amerikane ndaj
Iranit, tha një zyrtar amerikan, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.
I vendosur rreth 60 milje (96 km) në jug të kryeqytetit
Teheran, vendi i pasurimit të uraniumit në Fordo ndodhet në një rajon malor
pranë qytetit Qom.
Mendohet se objekti nëntokësor përbëhet nga dy tunele kryesore
që strehojnë centrifuga të përdorura për pasurimin e uraniumit, si dhe një
rrjet tunelesh më të vegjël.
Përpara sulmit të së dielës nga SHBA-të, siç u njoftua nga
Presidenti Trump, Izraeli i kishte bërë thirrje Uashingtonit për ndërhyrje pasi
SHBA-të janë e vetmja ushtri me aftësinë për ta goditur atë.
Ora 09:40: Sulmet e SHBA/ Starmer: Programi bërthamor i Iranit
është kërcënim serioz për sigurinë ndërkombëtare
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, është
shprehur se SHBA-të kanë ndërmarrë veprime për të “zbutur” “kërcënimin e rëndë”
të programit bërthamor të Iranit. Në një deklaratë, Starmer thotë se programi bërthamor i Iranit është kërcënim
serioz për sigurinë ndërkombëtare.
“Programi bërthamor i Iranit është një kërcënim serioz për
sigurinë ndërkombëtare. Iranit nuk mund t’i lejohet kurrë të zhvillojë një armë
bërthamore dhe SHBA-të kanë ndërmarrë veprime për të zbutur këtë kërcënim.”,
theksoi ai.
09:23: SHBA sulmoi infrastrukturën bërthamore të Iranit/ NATO:
Po e ndjekim situatën nga afër
Një zyrtar i NATO-s ka thënë se aleanca po ndjek nga afër
Lindjen e Mesme pas sulmeve të SHBA-së ndaj infrastrukturës bërthamore të
Iranit gjatë natës. Një zyrtar i bëri këto komente agjencisë së lajmeve Reuters
kur u pyet për reagimin e aleancës ndaj sulmeve.
“Sigurisht që po e ndjekim situatën nga afër,” tha zyrtari.
Ora 08:49: Alarmi i OKB-së: Konflikti SHBA-Iran rrezikon të
dalë jashtë kontrollit
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio
Guterres, ka reaguar pas sulmit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj
Iranit.
Guterres është shprehur i alarmuar siç ka thënë ai nga
përdorimi i forcës nga SHBA-të, duke e cilësuar këtë si një përshkallëzim të
rrezikshëm të tensioneve në një rajon tashmë të brishtë.
“Ky është një përshkallëzim i rrezikshëm në një rajon që
tashmë të brishtë dhe një kërcënim i
drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ekziston një rrezik në
rritje që ky konflikt të dalë shpejt jashtë kontrollit – me pasoja katastrofike
për civilët, rajonin dhe botën”, shkroi Guterres.
Ora 08:41: SHBA sulmoi objektet bërthamore të Iranit/ Teherani
paralajmëron për pasoja: Do mbrohemi kundër këtij agresioni
Irani tha se sulmet amerikane ndaj objekteve bërthamore janë
“shkelje e rëndë” e Kartës së OKB-së, të drejtës ndërkombëtare dhe Traktatit
për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore. Kryediplomati iranian, Abbas Araqchi, tha
se zhvillimet e mëngjesit të sotëm ishin “tronditëse”, duke e paralajmëruar
SHBA-në për pasoja.
08:20: Izraeli nis një valë të re sulmesh në Iranin perëndimor
Ushtria izraelite thotë se forcat e saj ajrore sapo kanë
filluar një valë të re sulmesh kundër “objektivave ushtarake” në Iranin
perëndimor. Kjo vjen pasi Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) lëshuan një
paralajmërim në orën e fundit se kishin identifikuar raketa që po lëshoheshin
nga Irani drejt territorit izraelit.
IDF shton se ka kryer gjithashtu sulme kundër lëshuesve të
raketave në territorin iranian.
Ora: 08:00- Konflikti kalon në një fazë të re/ Çfarë dihet për
sulmet amerikane ndaj objekteve bërthamore të Iranit
Ka shumë gjëra që ende nuk dihen rreth sulmeve amerikane
kundër objekteve bërthamore të Iranit. Megjithatë, po vijnë raportime rreth
vendeve që u goditën dhe elementëve ushtarakë, që ishin të përfshirë, ndërsa
presidenti Donald Trump përshëndeti sulmin.
Cilat vende u goditën?
Amerika duket se ka goditur tre vendet kryesore në programin
bërthamor të Iranit. Ato përfshijnë Isfahanin, vendndodhjen e një baze të
rëndësishme kërkimore, si dhe objektet e pasurimit të uraniumit në Natanz dhe
Fordow.
Besohet se Natanz është dëmtuar më parë në sulmet izraelite
pasi bombat ndërprenë energjinë elektrike në sallën e centrifugave, duke
shkatërruar ndoshta makinat në mënyrë indirekte. Megjithatë, objekti në Fordow,
i cili është “varrosur” rreth 80 metra nën një mal, më parë i kishte shpëtuar
dëmtimeve të mëdha.
Detajet rreth dëmit në sulmet amerikane nuk dihen ende,
megjithëse zoti Trump tha se të tri vendet ishin “shkatërruar”.
Ora 02:30 SHBA sulmon Iranin, Trump: Moment historik! Fordow
është zhdukur
Presidenti Amerikan, Donald Trump njoftoi se SHBA kanë sulmuar
sot Iranin, përfshin uzinën bërthamore të Fordow.
“Ky është një moment historik për Shtetet e Bashkuara të
Amerikës, Izraelin dhe botën”, poston ai në Truth Social.
Ora 02:49 Izraeli: Në ‘koordinim të plotë’ me SHBA për sulmet
ndaj Iranit
Izraeli ishte në “koordinim të plotë” me SHBA-në për sulmet e
saj ndaj objekteve bërthamore të Iranit, tha një zyrtar izraelit për
transmetuesin publik izraelit Kan, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.
Bombarduesit B-2 ishin të përfshirë në sulmet amerikane ndaj
Iranit, tha një zyrtar amerikan, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.
Ora 02:56 SHBA sulmon Iranin, vjen reagimi i parë nga zyrtarët
iranianë
Vjen reagimi i parë nga Irani, pasi presidenti amerikan Trump,
njoftoi se SHBA kishte kryer tre sulme me qëllim shkatërrimin e projekteve
bërthamore.
Zëvendësdrejtori politik i transmetuesit shtetëror të Iranit,
Hassan Abedini, është shfaqur drejtpërdrejt në televizionin shtetëror iranian.
Ai thotë se Irani evakuoi këto tre lokacione bërthamore “pak
kohë më parë”.
Ora 03:08 Izraeli rrit sigurinë, pasi SHBA sulmoi Iranin
Izraeli po rrit sigurinë pas sulmeve të SHBA-së në vendet
kryesore bërthamore të Iranit.
Izraeli ka shtrënguar kufizimet e sigurisë publike në të
gjithë vendin, thanë Forcat e Mbrojtjes Izraelite (IDF).
“Me miratimin e Ministrit të Mbrojtjes Israel Katz, dhe pas
vlerësimit të situatës, u përcaktua që që nga sot (e diel), në orën 03:45 të
mëngjesit, (01:45 të mëngjesit BST) do të bëhen ndryshime të menjëhershme në
udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm.
“Si pjesë e ndryshimeve, u vendos që të gjitha zonat e vendit
të zhvendosen nga Aktiviteti i Pjesshëm dhe i Kufizuar në Aktivitet Thelbësor.
Udhëzimet përfshijnë: ndalimin e aktiviteteve edukative, tubimeve dhe vendeve
të punës, përveç sektorëve thelbësorë.”
IDF shton se publiku kërkohet të ndjekë udhëzimet e publikuara
në kanalet zyrtare të Komandës së Frontit të Brendshëm.
Përmirësimi i kufizimeve – duke përfshirë një “ndalim për
aktivitetet arsimore, tubimet dhe vendet e punës” – vjen pas sulmeve të SHBA-së
ndaj Iranit.
Ora 03:19 Ligjvënësit amerikanë reagojnë ndaj vendimit të
Trump për të sulmuar Iranin
Senatori i Karolinës së Jugut Lindsey Graham përgëzon Trumpin
dhe thotë se ai “mori vendimin e duhur”.
Ai shton se “regjimi i Iranit e meriton”.
Senatori republikan Roger Wicker i bën jehonë lëvdatave, duke
thënë se Trump mori një vendim “të qëllimshëm” dhe “të saktë” për të eliminuar
“kërcënimin ekzistencial” që paraqet Irani.
Por ka edhe kritika nga disa, me senatorin republikan Thomas
Massie të Kentucky që thotë “kjo nuk është kushtetuese”.
Ora 03:56 SHBA sulmon Iranin, Netanyahu: Vendimi i guximshëm i
Trump do ndryshojë historinë
Vendimi i Presidentit të SHBA-së Donald Trump për të goditur
objektet bërthamore të Iranit do të “ndryshojë historinë”, tha Kryeministri i
Izraelit Benjamin Netanyahu të dielën në mëngjes.
“Urime President Trump, vendimi juaj i guximshëm për të synuar
objektet bërthamore të Iranit me fuqinë e mrekullueshme dhe të drejtë të
Shteteve të Bashkuara do të ndryshojë historinë”, tha Netanyahu në një
deklaratë video.
Ora 04:13 Trump reagon pas sulmeve: Irani tani duhet të bëjë
paqe, në të kundërt…
Presidenti i SHBA i është drejtuar kombit në një dalje live,
pas sulmevë amerikane në centralet bërthmore në Iran.
Irani “tani duhet të bëjë paqe”, thotë Presidenti i SHBA-së
Donald Trump.
“Nëse nuk e bëjnë, sulmet e ardhshme do të jenë shumë më të
mëdha dhe shumë më të lehta”, thotë ai.
Trump konfirmon se SHBA-të goditën objektet bërthamore të
Iranit në Fordo, Natanz dhe Isfahan pak kohë më parë.
Ora 04:30 Shefi i OKB: “Thellësisht i alarmuar” nga sulmi i
SHBA ndaj Iranit, thirrje për paqe
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio
Guterres, tha se ishte “thellësisht i alarmuar” nga sulmi i SHBA-së ndaj Iranit
të dielën në mëngjes, duke bërë thirrje për paqe dhe duke paralajmëruar kundër
përshkallëzimit të mëtejshëm në rajonin e trazuar.
“Jam thellësisht i alarmuar nga përdorimi i forcës nga Shtetet
e Bashkuara kundër Iranit sot. Ky është një përshkallëzim i rrezikshëm në një
rajon që tashmë është në buzë të trazirave – dhe një kërcënim i drejtpërdrejtë
për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.”
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio
Guterres.
Ora 04:37 Rebelët Houthi të mbështetur nga Irani: Trump “duhet
të mbajë pasojat” për sulmet
Një zyrtar nga rebelët Huthi të mbështetur nga Irani në Jemen
tha në një postim në mediat sociale të dielën herët se do ta mbante Presidentin
e SHBA-së Donald Trump përgjegjës për sulmet ajrore të SHBA-së në objektet
bërthamore iraniane.
“Trump duhet të mbajë pasojat”, postoi anëtari i byrosë
politike të Huthëve, Hizam al-Assad, në X.
No comments:
Post a Comment