Policia e Los Anxhelosit e zbatoi me shpejtësi orën policore në qendër të qytetit të martën në mbrëmje, duke kryer arrestime menjëherë pasi ajo hyri në fuqi, mes protestave kundër politikave të presidentit Donald Trump për dëbimin masiv të emigrantëve. Anëtarët e Gardës Kombëtare qëndruan në vëzhgim pas mburojave plastike, por nuk u duk se u përfshinë në arrestimin e protestuesve, raporton Associated Press.
Disa orë më vonë, shumë nga
protestuesit u shpërndanë, ndonëse përplasjet sporadike vazhduan, por ishin
shumë më të vogla se netët e mëparshme. Zyrtarët thanë se ora policore ishte e
nevojshme për të ndaluar vandalizmin dhe plaçkitjet nga protestues nxitës që
synonin të shkaktonin trazira.
Guvernatori demokrat i
Kalifornisë, Gavin Newsom, më herët e akuzoi Trumpin se ka vendosur “rrjet
ushtarak” mbi qytetin e dytë më të madh të vendit përmes përdorimit të trupave
të Gardës Kombëtare. Trumpi gjithashtu ka dislokuar marinsa, megjithëse asnjë
marins nuk u pa në rrugë të martën. Trumpi ka aktivizuar mbi 4.000 trupa të
Gardës Kombëtare dhe 700 marinsa, pavarësisht kundërshtimeve nga udhëheqësit e
Los Anxhelosit dhe Kalifornisë. Fillimisht, ata u dislokuan për t’i mbrojtur
ndërtesat federale.
Protestat janë përhapur në
qytete të tjera të vendit, përfshirë në Dallas dhe Austin në Teksas, Çikago dhe
Nju Jork, ku një mijë njerëz u mblodhën dhe policia kreu arrestime të shumta.
Kryetarja e Los Anxhelosit, Karen Bass, shpalli gjendjen e emergjencës lokale
në ditën e pestë të protestave dhe tha se ora policore do të jetë nga ora 20:00
e së martës deri në orën 6:00 të mëngjesit të së mërkurës. Ajo tha se pritet të
zgjasë për disa ditë.
“Kemi arritur në një pikë
kthese” pasi 23 biznese u plaçkitën, tha Bass gjatë një konference për shtyp të
martën.
Ora policore mbulon një zonë
prej 2.5 kilometra katrorë në qendër të qytetit, ku janë përqendruar protestat
që nga e premtja. Qyteti i Los Anxhelosit ka një sipërfaqe rreth 2.300
kilometra katrorë. Ora policore nuk vlen për banorët që jetojnë në zonën e
përcaktuar, për personat pa strehë, për median me akreditim ose për punonjësit
e sigurisë publike dhe të emergjencës, sipas shefit të policisë së Los
Anxhelosit, Jim McDonnell. McDonnell tha se sjellja “e paligjshme dhe e
rrezikshme” është përshkallëzuar që nga e shtuna.
“Ora policore është një masë e
nevojshme për të mbrojtur jetën dhe për të ruajtur pronën pas disa ditëve
radhazi të trazirave në rritje në qytet”, tha McDonnell.
Trumpi e ka përshkruar Los
Anxhelosin në terma alarmues që, sipas Bass dhe Newsom, nuk janë aspak të
vërtetë. Në një fjalim publik të martën në mbrëmje, Newsom e quajti veprimin e
Trump “fillim i një sulmi ndaj demokracisë”.
“Kalifornia mund të jetë e
para, por është e qartë se nuk do të përfundojë këtu. Shtetet e tjera janë në
radhë”, tha ai.
Newsom paralajmëroi qytetarët
të mos nxisin dhunë, por i nxiti të kundërshtojnë veprimet e presidentit.
“Ajo që Donald Trump dëshiron
më shumë është nënshtrimi juaj, heshtja juaj. Të bëheni bashkëpunëtorë në këtë
moment”, tha ai. “Mos ia mundësoni këtë”.
Protestat nisën të premten pasi
zyrtarët federalë për imigracionin arrestuan dhjetëra punëtorë në Los Anxhelos.
Protestuesit bllokuan një autostradë kryesore dhe dogjën makina gjatë
fundjavës, dhe policia reagoi me gaz lotsjellës, plumba gome dhe granata shurdhuese.
Protestat janë përqendruar
kryesisht në qendër të qytetit me 4 milionë banorë. Mijëra njerëz janë mbledhur
në mënyrë paqësore para ndërtesës së Bashkisë dhe qindra të tjerë protestuan
pranë një kompleksi federal ku ndodhet një qendër ndalimi për imigrantët e
arrestuar gjatë bastisjeve. Pavarësisht protestave, zyrtarët federalë i kanë
vazhduar bastisjet kundër imigrantëve në të gjithë qarkun, me zyrtarë lokalë
dhe grupe komunitare që raportojnë praninë e tyre në biblioteka, autolarje dhe
dyqane si Home Depot./ REL
No comments:
Post a Comment