Komisioni për punët e jashtme në Parlamentin Europian ka miratuar raportin për Shqipërinë me 57 vota pro, 11 kundër dhe 6 abstenime. Raporti i hartuar nga raportuesi Andreas Schieder, do t’i paraqitet për votim një seance të ardhshme plenare të Parlamentit Evropian.
Eurodeputetët përshëndesin
synimin për mbylljen e negociatave të Shqipërisë deri në vitin 2027, ndërsa
bëjnë thirrje për përshpejtimin e reformave dhe forcimin e institucioneve
demokratike. Eurodeputetët theksojnë konsensusin e gjerë politik dhe
mbështetjen e fortë publike për anëtarësimin në BE, së bashku me përputhjen e
plotë të politikës së jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së.
Nevoja urgjente për thellimin e
reformave
Duke mirëpritur synimin e
Shqipërisë për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe
përparimin e bërë deri më tani, eurodeputetët theksojnë nevojën urgjente për të
intensifikuar reformat. Prioritetet kryesore përfshijnë forcimin e pavarësisë
së gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe
mbrojtjen e të drejtave themelore. Rritja e pluralizmit dhe transparencës në
media mbetet thelbësore për të ndërtuar besimin e publikut.
Dialog politik dhe kundër
ndikimeve të huaja
Raporti nënvizon polarizimin e
vazhdueshëm politik të shënuar nga retorika konfrontuese dhe bën thirrje për
një dialog më konstruktiv dhe gjithëpërfshirës politik. Eurodeputetët shprehin
shqetësim serioz për ndikimet e huaja të dëmshme, veçanërisht nga burime të
lidhura me Kremlinin, që kërcënojnë institucionet demokratike dhe aspiratat e
Shqipërisë për anëtarësim në BE. Ata kërkojnë forcim të qëndrueshmërisë
institucionale përballë abuzimeve me financimet politike, manipulimit mediatik
dhe kërcënimeve kibernetike.
Mbështetje përmes iniciativave
të BE-së
Eurodeputetët përshëndesin
krijimin e Fondit të Reformës dhe Rritjes prej 922 milionë eurosh për Ballkanin
Perëndimor, që do të mbështesë Agjendën e Reformave të Shqipërisë sapo të
përmbushen kushtet. Hapja e zyrës së antenës së Parlamentit Evropian në Tiranë
shihet si një hap i rëndësishëm për forcimin e lidhjeve mes BE-së,
institucioneve vendore dhe partnerëve të shoqërisë civile në të gjithë rajonin
e Ballkanit Perëndimor.
Procesi zgjedhor dhe reformat
në drejtësi
Raporti reflekton mbi zgjedhjet
parlamentare të majit 2025, të cilat përshkruhen si konkurruese, por të
zhvilluara në një mjedis shumë të polarizuar, me shqetësime për përdorimin e
burimeve administrative. Eurodeputetët i bëjnë thirrje partive politike
shqiptare të angazhohen për reforma zgjedhore gjithëpërfshirëse në përputhje me
rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.
Përparimi i bërë në reformat në
drejtësi dhe hetimet ndaj korrupsionit në nivele të larta mirëpriten,
megjithatë ndërhyrjet politike mbeten një sfidë. Eurodeputetët bëjnë thirrje
për përpjekje të vazhdueshme për të garantuar pavarësinë e gjyqësorit dhe për
të rritur llogaridhënien.
No comments:
Post a Comment