Në një kohë kur Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përmbyllur hetimet për Ilir Metën në dosjen “CEZ-DIA” dhe në çështjen e lobimit në SHBA, duke marrë zyrtarisht të pandehur si Metën, ashtu edhe Monika Kryemadhin, një nga dëshmitarët që është thirrur për të dëshmuar në këtë proces ka treguar detaje nga rrëfimi që ka lëkundur pozitat e Metës në SPAK.
Bëhet fjalë për gazetarin Fatos Mahmutaj, i cili ka dhënë një
intervistë për “Abc News”, ku sqaroi se është pyetur nga prokurorët e posaçëm
vetëm në lidhje me një intervistë të zhvilluar prej tij me Vojsava Ismailaj,
bashkëshortja e Kastriot Ismailajt, në kohën kur ajo ndodhej në arrati. Në atë
intervistë, zonja Ismailaj akuzon drejtpërdrejt Ilir Metën për shantazhe,
presione dhe, sipas saj, gjobëvënie, ndërsa burgosjen e bashkëshortit e quan
pasojë të drejtpërdrejtë të veprimeve të Metës.
Sipas Mahmutajt, Meta sot po përpiqet të largojë vëmendjen nga
vetja duke akuzuar dhe shantazhuar ish-bashkëpunëtorët e tij, në një përpjekje
për të krijuar konfuzion dhe për të çorientuar hetimin. Ai thotë se Meta duhet
të përballet në gjykatë dhe të provojë pafajësinë e tij në vend që të prodhojë
deklarata politike nga burgu. Për Mahmutajn, lëvizjet e Metës janë një
strategji e njohur që synon të trazojë ujërat dhe të përhapë dyshime pa sjellë
prova konkrete. Megjithatë, siç thekson ai, akuzat që dalin nga kjo dosje janë
serioze dhe tani i takon gjykatës të vendosë mbi përgjegjësinë penale të
ish-presidentit.
-SPAK ka mbyllur hetimet për Ilir Metën për aferën CEZ-DIA dhe
gjithashtu për lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke marrë
zyrtarisht të pandehur si Metën, ashtu edhe Monika Kryemadhin. Por ajo çfarë ka
bërë përshtypje kohët e fundit është akuza apo akuzat që Meta po hedh nga burgu
për ish-bashkëpunëtorët e tij. Pse po ndodh një gjë e tillë sipas jush?
Atëherë, desha që të sqaroj që në fillim që me pjesën
proceduriale dhe me hollësi për dosjen ÇEZ-DIA, nuk do të doja që të merresha
për faktin se jam dhe pjesë e kësaj dosjeje, pra dëshmia ime ndodhet në këtë
dosje dhe nuk dua ta bëj publike përpara gjykatës, sepse janë disa detaje të
gjykatës. Ndërkohë, për akuzat që hedh Ilir Meta, unë mendoj që më e mira e tij
do të ishte që të përshpejtonte gjyqin.
Pra, nëse pretendon vërtet se është i pafajshëm, atëherë të
përballet në gjykatë dhe të vërtetojë pafajësinë e tij. Sepse çdo njeri
prezumohet i pafajshëm sipas legjislacionit shqiptar dhe, shyqyr Zotit, sot nuk
jemi në diktaturë, por jemi, le të themi, në një sistem demokratik. Pra, ai ka
të gjitha mundësitë dhe të gjitha të drejtat e tij legjitime, njerëzore, të
drejtat e Zotit, që të vejë, të përballet në gjykatë dhe të vërtetojë
pafajësinë e tij. Ndërkohë, ideja e tij për të vazhduar dhe për të hedhur tymnajë
në dosje, pra të akuzojë njerëz të tjerë, të bëjë presione, të bëjë shantazhe
ndaj njerëzve të tij, është pa lidhje.
Deri në momentin kur ai nuk flet me emra konkretë, për
shembull nga përvoja në sistemin e drejtësisë – pra unë kam qenë një gazetar që
jam marrë gjithë kohës me sistemin e drejtësisë me vite e vite me radhë –
atëherë e kam parasysh që, në momentin kur dikush ndodhet në një pozitë të
keqe, siç ndodhet zoti Meta, atëherë ai çfarë do bëjë? Fillon dhe bën shantazhe
ndaj njerëzve të tjerë, sepse është ajo fjala e urtë: “trazo, trazo, gënje,
gënje, se diçka do mbetet”. Duke u përpjekur të devijojë hetimet, të devijojë
çështjen, të devijojë gjithçka tjetër, vetëm që të heqë përgjegjësinë dhe të
shpërqendrojë përgjegjësinë nga vetja e tij. Tani, edhe njëherë, për mos u
rikthyer: ai do të bëjë mirë të përshpejtojë gjyqin, pra të përballet në
gjykatë, të sjellë provat e tij dhe të mbarojë punë.
-Ndërkohë avokati i tij mbrojtës, Kujtim Cakrani, deklaroi
publikisht që tre akuzat e ngritura ndaj Metës për korrupsion pasiv, pastrim
parash dhe fshehje pasurie nuk qëndrojnë. Dëshmia jote është në dosjen CEZ-DIA,
por me aq sa mundësi që ti mund të kesh për të folur, a ka pasur bashkëpunëtorë
SPAK apo dëshmitarë të tjerë në aferën ÇEZ-DIA?
Shiko, me thënë të drejtën, atëherë pjesa ime që jam në këtë
dosje është për një intervistë që kam zhvilluar me Vojsava Ismailaj, gruan e
Kastriot Ismailajt, në momentin që kjo ndodhej në arrati. Pra, kam zhvilluar
një intervistë me të, nuk kam mbajtur asgjë. Këtë intervistë e kam publikuar,
gjendet publike në internet kudo dhe në SPAK jam pyetur rreth kësaj interviste
dhe për asgjë tjetër nga dosja.
-Për ta sjellë edhe njëherë në vëmendje të publikut, çfarë
thuhet në këtë intervistë?
Shiko, intervista është publike dhe në intervistë ajo zonja
Ismailaj akuzon direkt zotin Ilir Meta. Pra, e akuzon për shantazhe, presione
dhe ajo e quan gjobëvënie dhe pastaj edhe burgosjen e burrit të saj e quan
vepër të tij.
-Ka qenë e frikësuar zonja Ismailaj nga Meta?
Fatos Mahmutaj: Shiko, nuk mund të flas më tepër për këtë
çështje, pasi janë pjesë e dosjes hetimore dhe, me thënë të drejtën, as nuk do
kisha dëshirë të flisja për këtë. Se ç’pata për të thënë, i thashë atje ku
duheshin dhe çfarë pata për të thënë, çfarë kisha rreth kësaj, i kam thënë të
gjitha dhe nuk doja që ta vazhdoja më tej këtë. Po mua më duket, domethënë, se
zoti Meta – këtë e them si një gazetar i sistemit të gjyqësorit – më duket që
zoti Meta e bën këtë për të përhapur tymnajë dhe për të çakorduar çështjen.
No comments:
Post a Comment