Kantina Duka – Shije shqiptare që udhëton botën

Reklamë

LAJMI I FUNDIT:

Post Top Ad

Your Ad Spot

Sunday, June 1, 2025

Edhe Berishës ia hangërkan dardhat pas shpine

 Nga Denis Dyrnjaja

 

Kandidatët e opozitës duhet se janë tradhëtuar nga vetë njerëzit e tyre, madje dhe nga lidershipi politik dhe sigurisht çka është më kryesore nga Sali Berisha që bën sikur nuk di asgjë për këtë maskaradë zgjedhore, ku votat orientohen sipas një skenari interesash të bosëve politik.



Është një deja vu e situatës kur duhej të zgjidhej dikur pasardhësi i tij, pas humbjes dërrmuese në zgjedhjet e vitit 2013 dhe dorëheqjes si kryetar i PD, vendim që i hapi rrugën pseudogarës për kryetarin e ri në parti. 


Si një skenarist i regjur për intriga politike, Berisha nuk do ia linte rastësisë këtë proces, sidomos kur bëhej fjalë për kontrollin e PD. Duhej njeri i besuar dhe që Berisha ta kishte kollaj për ta komanduar. Dhe ai ishte gjetur dhe projektuar. Orientimi ishte të zgjidhej Lulzim Basha kryetar dhe jo rivali i tij Sokol Olldashi. Por kjo duhej të ndodhte duke lënë të kuptohej qartë se Berisha nuk kishte ndikim në proces. Madje u deklarua asokohe, për një garë të lirë e të pandikuar dhe pse të gjithë e kuptonin shumë mirë që Luli ishte kandidati i tij i preferuar.

 

Kaq duhej që preferenca e doktorit të shndërrohej në realitet nga "marifetxhinjtë" që përgatitin dhe realizojnë skemat e zgjedhjeve formale me rezultate të paracaktuara, por që të duken gjithnjë me vullnet demokratik e me vota te numëruara, vetëm thjeshtë pak, po pak fare të orientuara ose të manipuluara. Dhe sikurse rrodhën ngjarjet Lulzim Basha u zgjodh kryetar, ndërsa Sokol Olldashi si hyri ashtu dhe doli në atë pseudogarë.

 

Njësoj si dhe atëherë e sikurse ka vazhduar të bëjë të paditurin, edhe sot vetëm Sali Berisha nuk di gjë që në PD edhe vidhen, edhe tjetërsohen edhe orientohen votat, tashmë edhe për zgjedhjet parlamentare. Po se kush dreqin i bën këto punë pa dijeni të doktorit një zot e di. Pra si për koincidencë edhe Berishës, njësoj si Ramës ia hanë dardhat nga mbrapa shpine mesa duket dhe vetëm ai nuk e di, por i mëson gjërat pasi ndodhin.

 

Hipokrizi e neveritshme në tërësi. Por më e neveritshme bëhet kur vetë viktimat vazhdojnë të thonë se doktori nuk di gjë dhe ideatorin dhe frymëzuesin e kësaj pabesie e përjashtojnë nga përgjegjësia. Nëse ka një rast për të ngritur zërin, madje deri në akuzë për këtë fëlliqësi që ka ndodhur me orientimin e votës, duke deformuar jo vetëm garën, por edhe duke cënuar personalitetin e çdo kandidati demokrat është ky dhe sigurisht kjo ka ndodhur në dijeni të plotë të Sali Berishës.

 

Boll o boll se po turpëroni e depersonalizoni veten. Mblidhni këshillin kombëtar e mos humbni kohë të kotë, duke diskredituar më shume vetveten me kërkesa për rinumërime, se këto thjeshtë konfirmojnë që i vidhni votat njëri tjetrit. Kërkoni përgjegjësi politike përse u humbën zgjedhjet, të largohen ata që dështuan në këtë angazhim, duke filluar nga Berisha i pari sipas statutit e gjithë shpura e besnikëve të tij, që nuk duan të rrëzojnë Ramën, por të kenë rehati me një mandat deputeti e një status komod në parti. Kërkoni të hapet partia e të afrohen njerëz që duan të kontribuojnë, të organizohen gara reale për strukturat e reja drejtuese përshirë më pas edhe garën për kryetar të ri të PD.

 

Kjo teza se kontributorëve duhet t'iu njihet kontributi duhet marrë fund. Kontributi është vullnetar në një forcë politike, jo detyrimor. Se kështu i bie që meqë kanë kontribuar ca personazhe duhet të qëndrojnë përjetësisht deputetë apo drejtues. Kjo është mendësi autoritare. Që ca duhet të shërbejnë e ca duhet të drejtojnë nuk ka rëndësi, nëse fitojnë apo dështojnë. Ata gjithnjë duhet të jenë aty të paprekshëm se e meritojnë. Jo o jo ti kontributor i dështuar, hape rrugën se i ke ezauruar mundësitë e tua.  Përsëritja e të njëjtit gabim për më shumë se një herë nuk është më pafajësi, por idotesi. Edhe sa vjet duhet të kalojnë për të kuptuar se këtë forcë politike e mbipopulluar nga servilë dhe njerëz të paaftë për të prodhuar sukses e ka pushtuar dështimi?!

 

Nëse doni të bëni ndryshimin e pretenduar të pushtetit duhet çliruar PD nga uzurpuesit dhe interesaxhinjtë. Ndryshe thjeshtë po gënjeni veten dhe mbetemi ca hipokritë ndaj së vërtetës. Duke akuzuar çdo kënd përveç Berishës për degradimin elektoral e politik, thjeshtë nuk po e zgjidhni, por po e majisni më shumë problemin, duke u bërë mbulesë e tij.

 

Ndërkohë shumë kandidatë nga këta që pretendojnë të hyjnë në Parlament dhe thonë se u janë përvetësuar votat e dinë shumë mirë që janë përdorur si kukulla politike në zgjedhje dhe tani që mësuan të vërtetën, nuk kanë kurajë t'ia thonë në sy Berishës realitetin dhe murmurisin sikur problemin e kanë më kundërshtarët e krahut tjetër politik. Në fakt problemi qëndon brenda në parti. Pra si ndesheni me regjimin dhe autokratin Edi Rama, kur autokrati Sali Berisha, iu merr, ju përdor sipas interesit të tij dhe në fund edhe ju tall duke bërë naivin.

 

Vetë thotë nuk ndalojmë njeri të pretendojë rinumërimin e votave e nga ana tjetër autorizon përfaqësuesit e PD në KQZ, të votojnë kundër rinumërimit duke bashkuar votat me përfaqësuesit e PS. A nuk është tallje kjo e të të bëjë sy për sy i thonë shprehjes për budalla?! Është një nga rastet më atipike që Sali Berisha njëherësh është dhe shkaku dhe pasoja e humbjes së opozitës në zgjedhje.

 

Mjafton të kuptohet se mes tij dhe Edi Ramës kuptohet që ka një dakordësi të heshtur për të ndarë pushtet, njëri zotëron qeverinë e tjetri opozitën. Të dyja janë pushtete në vetvete dhe të dy përfitojnë në mënyra të ndryshme, për qëllime të ndryshme dhe për objektiva të ndryshme nga pushteti absolut që zotërojnë. Që të mos kuptosh këtë, ose duhet të jesh, ose duhet të bësh sikur je budalla. Si këta të dytët ka plot se dallohen kur në çdo rrethanë përpiqen të mbrojnë ose përjashtojnë nga përgjegjësia arkitektin e humbjes dhe mbajtjes së Ramës në pushtet, Sali Berishën dora vetë!

No comments:

Post a Comment

Post Top Ad

Your Ad Spot