Gazetari dhe kandidati i Partisë Demokratike, Aulon Kalaja, i ftuar në emisionin “N’xhiro me Syçin” të Ilir Demalias, ka hedhur akuza të forta për mënyrën si u trajtuan fituesit e primareve brenda PD-së, duke e konsideruar procesin si të deformuar dhe të përdorur për propagandë të brendshme.
Kalaja u shpreh se ndonëse kishte dalë më i votuari në
primaret për bashkinë e Krujës dhe kishte fituar thellë në katër njësi
administrative, nuk u fut në listë të sigurt për deputet. Ai e cilësoi këtë si
“politikë klanore” dhe “tallje me njerëzit”:
“Unë fitova në Krujë, Fushë-Krujë, Thumanë dhe Bupq. Mora mbi
8120 vota dhe nuk jam deputet. Çfarë duhet të bëj më shumë për të hyrë në
Parlament?”
Sipas Kalasë, nuk ishte vetëm ai i përjashtuar nga listat
përkundër fitores në primare. Ai përmendi edhe raste të tjera si Jorida Tabaku,
Ali Mehmeti dhe Hysen Kadiu, të cilët, sipas tij, fituan mbështetje në bazë por
u lanë jashtë përzgjedhjes për deputetë.
Kalaja theksoi se kishte pranuar të garonte në lista të hapura
për të testuar besimin e votuesve tek ai dhe për të kuptuar raportin e tij me
politikën, por rezultati tregoi sipas tij se “sistemi është i deformuar”.
“Faktikisht, njerëz që kanë marrë më pak vota janë bërë
deputetë. Pra, vota personale nuk vlen. Ky sistem favorizon emrat në listat e
mbyllura dhe jo ata që kanë mbështetje reale.”
Në debat u preken edhe temat e aleancave dhe marrëdhënies me
aleatët ndërkombëtarë. Kalaja kritikoi shpërndarjen e mandateve për parti të
vogla si Lëvizja për Zhvillim Kombëtar dhe Partia për Drejtësi, duke thënë se
nuk përfaqësojnë më forca të vërteta elektorale.
No comments:
Post a Comment