Shqipëria është një nga pesë destinacionet europiane më mikpritëse për shtetasit amerikanë. Kështu shkruan Cepee Tabibian, një eksperte për lëvizjet jashtë vendit. Në moshën 35-vjecare ajo u largua nga SHBA për në Europë, dhe në lidhje me këtë udhëtim tregon se cilët faktorë i bëjnë disa vende më mikpritëse se të tjerat.
Vendet europiane më mikpritëse
për amerikanët ofrojnë viza të përshtatshme, kosto të ulët jetese dhe një klimë
sociale të hapur. Prania e komuniteteve të huaja dhe njohja e gjuhës angleze
ndihmojnë gjithashtu në një integrim më të lehtë. Këta faktorë i bëjnë këto
destinacione ideale për një fillim të ri jashtë SHBA”.
Në moshën 35 vjeç ajo vendosi
të braktis Teksasin, (veprim për të cilin nuk është penduar asnjëherë) për tu
zhvendosur në Spanjë pa një plan të qartë dhe me shumë pikëpyetje. Por
ndryshimi erdhi menjëherë. Larg rutinës së zakonshme të punës 9-me-5, zbuloi
pasionet e saj të vërteta: shkrimin, krijimin e përmbajtjes dhe ndërtimin e
komunitetit. Vetëm 18 muaj më vonë, ajo themeloi She Hit Refresh, një platformë
dhe komunitet që ndihmon gratë mbi 30 vjeç të kuptojnë dhe përshpejtojnë
procesin e zhvendosjes jashtë vendit.
Sipas saj, shumë prej atyre që
duan të largohen nga Shtetet e Bashkuara nisin me një pyetje të vetme, por të
rëndësishme: Ku duhet të shkoj? Dhe për këtë, ajo është e gatshme të ndihmojë.
Shqipëria
Shqipëria u lejon shtetasve
amerikanë të qëndrojnë deri në një vit pa vizë. Me një hyrje të lehtë dhe kosto
të ulët jetese, ajo është perfekte për punonjësit në distancë që kanë një
buxhet të kufizuar. Shumë amerikanë jetojnë në Tiranë, ku komuniteti i të
huajve është i fortë dhe anglishtja flitet gjerësisht. Por Riviera shqiptare
nuk duhet anashkaluar; bregdeti i saj përgjatë Detit Jon ka disa nga plazhet
dhe peizazhet më të bukura në të gjithë Europën. Shumë amerikanë e përdorin
Shqipërinë si një pikënisje të lehtë, duke qëndruar nga një deri në katër vjet
përpara se të zhvendosen në destinacionin e tyre të radhës.
Spanja
Spanja është një zgjedhje e
preferuar për amerikanët, falë vizave për nomadë dixhitalë dhe qëndrimit pa
punë, kujdesit shëndetësor të përballueshëm dhe kulturës sociale që vlerëson
lidhjen mes njerëzve.
Megjithëse anglishtja nuk
flitet gjerësisht dhe qytete si Barcelona përballen me mbingarkesë turistike,
shumë qytete dhe fshatra më të vegjël janë të gatshëm të mirëpresin të
ardhurit. Në Madrid, autorja e këtij rrëfimi gjeti një komunitet njerëzish që,
si ajo, kishin braktisur rrugën tradicionale të suksesit për të ndjekur një
jetë më të lirë e krijuese - duke lënë punën me orar të plotë për të dhënë
mësim, punuar në mënyrë të pavarur dhe për të ndërtuar një biznes të vetin.
Aktualisht ajo jeton në Málaga,
një qytet që ka tërhequr evropianë për pushime dhe emigrim prej dekadash.
Banorët janë të hapur ndaj të huajve, gjë që ka bërë më të lehtë krijimin e
miqësive dhe ndjesinë e të qenit në shtëpi.
Portugalia
Portugalia është një nga vendet
më të hapura ndaj dixhitalëve nomadë në Europë, falë stilit të relaksuar të
jetesës, pranisë së gjerë të gjuhës angleze dhe opsioneve të shumta për viza.
Përveç vizës për nomadë digjitalë, ofron edhe vizën D7, që u lejon amerikanëve
me të ardhura pasive të qëndrueshme të jetojnë në vend.Megjithëse qytetet si
Lisbona dhe Porto përballen me sfida nga mbingarkesa turistike, ekzistojnë
alternativa të shumta dhe më të qeta.
Në Algarve, emigrantët tërhiqen
nga kombinimi i vendasve dhe të huajve si dhe klima mesdhetare, ndonëse
gjeografikisht ndodhet në brigjet e Atlantikut. Ishujt Madeira dhe Azoret
ofrojnë një përvojë të veçantë për ata që kërkojnë natyrë të paprekur dhe ritëm
jetese më të qetë. Siguria, përballueshmëria dhe komunitetet tashmë të
konsoliduara të të huajve e bëjnë Portugalinë një zgjedhje ideale për gratë që udhëtojnë
vetëm, familjet dhe pensionistët.
Franca
Franca ofron një stil jetese më
të ngadaltë dhe cilësor që po tërheq gjithnjë e më shumë amerikanë. Një
shembull është Mary Alice Duff, e cila la pas ritmin e vrullshëm të Filadelfias
për qetësinë e jugut të Francës, ku tani shijon shëtitjet me biçikletë drejt
plazhit me vajzën e saj, transportin publik falas dhe një rreth miqsh
ndërkombëtar të afërt dhe të larmishëm.
Për ata që duan të ndjekin një
rrugë të ngjashme, viza profession libérale është një mundësi e mirë për
punonjës të pavarur dhe sipërmarrës të vegjël, duke ofruar fleksibilitet për
punë në distancë. Franca ofron gjithashtu kujdes shëndetësor cilësor dhe të
përballueshëm dhe konsiderohet shumë miqësore për familjet. Ka një nga normat
më të larta të lindshmërisë në Europë, e ndihmuar nga përfitime fiskale dhe
kujdes fëmijësh me kosto të ulët. Megjithatë, një pengesë është mungesa e një
vize të posaçme për nomadët digjitalë, çka e vështirëson qëndrimin afatgjatë
për punonjësit në distancë.
Holanda
Holanda është e njohur për
mikpritjen ndaj të huajve, me infrastrukturë të shkëlqyer transporti publik,
rrugë të dedikuara për biçikleta, përdorim të gjerë të gjuhës angleze dhe një
ambient të favorshëm për sipërmarrësit. Për amerikanët e vetëpunësuar, viza
DAFT (Traktati i Miqësisë Holandë-SHBA) ofron mundësinë për të jetuar dhe
punuar në vend përmes regjistrimit të një biznesi dhe depozitimit të 4,500
eurove në një llogari bankare biznesi. Megjithatë, gjetja e banesës mbetet një
sfidë për shkak të krizës së strehimit.
Denise Segler, u zhvendos në
Holandë në vitin 2024, në të 50-at e saj. E divorcuar dhe me fëmijë të rritur,
ajo e përqafoi këtë kapitull të ri për të ndërtuar jetën në kushtet e saj. Edhe
pse vetëm disa muaj nga zhvendosja, ajo e ka ndjerë mikpritjen e vendasve dhe
ka nisur të krijojë një rrjet të ri përmes eventeve të shumta të
rrjetëzimit.CNBC
No comments:
Post a Comment