Agron Shehaj, kur u pyet nëse iu vodhën votat, dha një përgjigje logjike dhe të vërtetë. Tha se fushata ishte e pabarabartë, por partisë së tij nuk i vodhi askush asnjë votë. Ndërkohë, nuk kemi dëgjuar as nga partitë e tjera të vogla – si Nisma “Shqipëria Bëhet” apo Lëvizja Bashkë – ndonjë ankesë për vjedhje votash. Partia e Tomës jo e jo, se është çështje burrnie…
Vetëm Sali Berisha është duke u
ankuar se i kanë vjedhur votat.
Paradoksi është se gjatë gjithë
fushatës, ai ishte jo vetëm garant i votës, por edhe kërcënues: kushdo që
prekte një votë, do merrte “përgjigjen e merituar”.
Po si ka mundësi që këta
“kriminelë elektoralë” hipotetikë paskan lënë pa prekur rreth 180 mijë votat e
partive të vogla – që nuk kanë as komisionerë, as numërues, as strukturë – dhe
paskan vjedhur pikërisht Sali Berishën, që i ka të gjitha: komisionerë,
numërues, para, retorikë force?
Përgjigjja është e qartë për
këdo që njeh procesin zgjedhor. Ajo që thotë Agron Shehaj është e saktë.
Fushata për partitë e vogla është e pabarabartë, sepse të mëdhenjtë
kontrollojnë infrastrukturën zgjedhore. Qeveria ka gjithashtu një avantazh të
lehtë për shkak të votës së administratës publike – që në pjesën më të madhe
votojnë për pushtetin, përveç rasteve kur fryn era e ndryshimit.
Por procesi i numërimit nuk ka
pasur asnjë problem serioz prej vitesh. Regjistrimi me kamera i votimit dhe
numërimit e ka zhdukur rrezikun e vjedhjes së votës.
Nga ana tjetër: si ka mundësi
që nuk janë “shitur” votuesit e rinj të partive të reja – pa histori politike –
dhe paskan qenë të “shitur” pikërisht demokratët e Berishës, ata që janë gati
të “vdesin për të”? Partitë e reja kanë marrë afro 180 mijë vota, dhe asnjëra
nuk ankohet për vjedhje. Kurse demokratët e Berishës, që mbahen si më trima e
më parimorë, na qenkan manipuluar?
Këto justifikime qesharake të
Berishës rrëzohen edhe nga vetë votimet brenda listës së PD-së. Si ka mundësi
që “populli demokrat” voton emra që Berisha nuk i do? Lista e Tiranës është një
shembull i qartë. Në listën e hapur të vetë Berishës, çdo demokrat ka zgjedhur
fiks njerëzit që e dinë të gjithë se ai nuk i do. Dhe këta, sipas tij, i ka komanduar
Rama?
Me logjikën e Berishës
“kriminelët” zgjedhin të mos prekin votat e Endri Shabanit, Agron Shehajt apo
Arlind Qorit, por përqendrohen të manipulojnë votat e Flamur Nokës, Edi Palokës
dhe Albana Vokshit?
Sipas tij, votuesit e Shehajt,
Qorit apo Lapajt – edhe pse votojnë për herë të parë për ta – nuk shiten. Por
ata që kanë votuar për Berishën prej 34 vitesh, janë shitës të votës?
Dhe më keq akoma, edhe brenda
listës së PD-së, “kriminelët” qenkan përqendruar të votojnë kundër Berishës, jo
për kandidaturat e tij.
Ky absurd ndodh vetëm në një
parti ku njerëzit i kanë thënë lamtumirë logjikës dhe përsërisin verbërisht çdo
mendim që del nga një mendje e bllokuar si ajo e Sali Berishës.
Fatkeqësia e tij dhe fatmirësia
e vendit është se ai nuk e ka më monopolin e opozitës. Nuk ka më vetëm një
version se çfarë ndodhi në zgjedhje. Ai është thjesht një parti opozitare – më
e vjetra, më e degraduara dhe më e pashpresa nga të gjitha.
No comments:
Post a Comment