Nga Çapajev Gjokutaj
Lidershipi i PD-së e shpalli me bujë triumfatori faktin që
Chris LaCivita do të bënte kryestrategjistin politik të fushtës së tyre. Dhe
gjithçka ishte e justifikuar, i pajturi prej tyre njihet në Amerikë dhe më
gjerë si një nga strategjistët më të vlerësuar ndër ata që ideuan fushatën
ngadhënjyese të Donald Trump.
Eksport çalaman
Qysh në fillim LaCivita deklaroi se do të eksportonte në
Shqipër MAGA-n (Bëje Amerikën të madhe përsëri), por me një ndryshim të vogël,
në vend të Amerikës do vendosej Albania. Pastaj në vend të Trump Berisha dhe,
qershia mbi tortë, rivaliteti Berisha - Rama do ravijëzohej si ndeshje mes
trampistëve dhe sorosianëve në Shqipëri.
Parë në rrafsh formal strategjik eksportimi i MAGA-s ngjan
ide e lavdërueshme. Shqiptarët njihen si një nga kombet më amerikandashëse të
globit, rrjedhimisht çdo gjë që vjen nga Amerika ka një lloj sharmi dhe
gjeneron tërheqje e pëlqim. Veç kësaj
MAGA lidhet pazgjidhshëm me Trump, prototip në rrafsh botëror i liderit
të fortë e autoritarist. Historia e shtetit amë ka dëshmuar se ne shqiptarët
pranojmë, madje në shumicë edhe pëlqejmë, të kemi në krye prijës të fortë që na
janë shfaqur herë si monark, herë si diktator e herë si liderë autoritaristë.
Rrjedha e gjërave dëshmoi se eksportimi i MAGA-s nuk shkoi aq
lehtë sa e përfytyronte strategjisti i Trumpit. Problemi i parë doli me
përkthimin në shqip të cilësorit ‘great’. Po të thoshje ‘bëje Shqipërinë të
madhe përsëri’ shumëkush do ta lidhte me konceptin politiko-historik ‘Shqipëria
e madhe’. Të përmendësh, qoftë edhe pa dashje a në nëntekst, rishikim kufijsh
gjatë një fushate elektorale është si të thyesh një tabu, madje edhe më e
rrezikshme. Hapja e një kapitulli të tillë do t’i bënte më problemore seç janë
marrdhëniet e PD me ndërkombëtarët. Në kushte të tilla ‘great’ u soll në shqip
me fjalën ‘madhështore’, por edhe kjo përshtatje duket se nuk rezultoi
tërësisht e suksesëshme.
Cilësori ‘madhështor/e’ është kryesisht fjalë e stilit
libror dhe, veç kësaj, rezulton e mbipërdorur nga ligjërimi i dikurshëm totalitar
në sintagma të tipit ‘vepra madhështore’, ‘plane madhështore’, ‘fitore
madhështore’ etj. etj. Nisur nga përdorime të tilla, një pjesë e mirë e
elektoratit gri nga 50 vjeç e sipër dallon në këtë fjalë jo vetëm stilin libror
por edhe konotacione të një propagande false: gjithçka pandehej e paraqitej
mdhështore, por sa hap e mbyll sytë përfundoi në kolaps total. Të nxisësh idenë
se je duke bërë propagandë në kohë fushate elektorale, është si t’i zesh vendin
atij të proverbit që vajti e zgjoi shejtanin ndërkohë që ai flinte.
Ngjyrimet librore dhe ato propagandistike të cilësorit
‘madhështore’, në një masë a në tjetrën gjalluan tek emërtimi ‘Aleanca për
Shqipërinë madhështore’ dhe, më së paku duket se pengonin një pjesë të
elektoratit të krijonte një pëlqim të vetvetishëm e pa rezerva.
Që eksportimi i MAGA-s nuk rezultoi dhe aq i lehtë, e
dëshmon edhe fakti se u la në harresë ndajfolja ‘përsëri’. Rrallë a pothuajse
hiç fare u shqiptua në ligjërimin zgjedhor slogani i plotë: ‘Ta bëjmë
Shqipërinë madhështore përsëri’. Dhe bënë mirë ngaqë një pjesë e konsiderueshme
e votuesve do nënqeshnin: po kur paska qenë Shqipëria madhështore?
Kapelja magjike
Problemet që krijoi eksportimi i MAGA-s dëshmojnë se
strategjistët politikë e kanë të domosdoshme të njohin gjuhën, zakonet dhe
mentalitetin e vendit ku pajtohen e paguhen të punojnë. Kjo puna e mosnjohjes
së mentalitetit dhe zakoneve të kujton ndryshimet në imazhin pamor të Berishës
gjatë fushatës. LaCivita duket se propozoi t’i vinin liderit në kokë një kapele
bejzbolli dhe t’i lidhnin në grykë një
gravatë të verdhë, në mënyrë që zgjedhësve t’u kujtonte Trumpin e doemos edhe
ngadhënjimin e tij.
Parë në parim kemi të bëjmë me një teknikë të zakonshme dhe
shpesh frytdhenëse marrë nga manualet e fushatave elektorale. Imazhi pamor i
liderit, kur është i goditur, përbën element shumë ndikues. Kapelja e
bejzbollit dhe gravata e verdhë në këtë rast do të ishin thuajse magjike, por
gjasat janë se paraqitja vizuale e Berishës si Trump nuk funksioi siç pritej.
Dhe arsyeja është e thjeshtë.
Prej gati tri dekadash Sali Berisha ka krijuar në publik
imazhin e një burri të fortë, të qendrueshëm dhe kurdoherë serioz, që në çdo
rast është vetvetja dhe thuajse kurrë nuk aktron në rolin e dikujt tjetër.
Kapelja e bejzbollit dhe gravata e verdhë i iknin dhunshëm këtij imazhi solid e
të gjithëpranuar dhe, ç’është më e keqja, fqinjëronin me goditjet nën brez që
bënte Rama kur thoshte se Berisha qënkej plakur e paskësh nisur të rridhte, se
i fikeshin llambat tre herë ditën etj.
Berberi i Sulltanit
Në këshillat që strategjisti i përtejoqeqnit i ofruaroi
PD-së pati dhe nga ato që mbanin erë amatorizëm dhe të shtyjnë të dyshosh se
buronin nga një punë nxitimthi me rrenjë në mentalitetin e moçëm kolonialist
‘buono per Albania’. Në fakt këtë mentalitet, përzier me një farë shpotie, e
shprehte hapur LaCivita në bisedën e filmuar si video e fshehtë nga disa
gazetarë investigues dhe pastaj të botuar tek ‘The Guardian’.
Mbanin erë amatorizëm thuajse të gjitha këshillat që synonin
të amortizonin nofkën ‘Buf’ që Rama, duke shpërfillur etikën, e përdori për të
thirrur Berishën gjatë gjithë fushatës. Disa vargje të frymëzuara nga poezia
‘The Owl’ e Edward Thomas që LaCivita i postoi në X, mezi i kapërcyen 100
pëlqime dhe afërmendsh që kaluan pa u vënë re nga masa e votuesve. Duhet shtuar
se poezia në fjalë është thuajse e harruar dhe, më shumë sesa nga lexuesit e
poezisë angleze kujtohet nga studjuesit. Me gjasë LaCivita apo ndonjë nga
ndihmësit e tij e kanë kërkuar e gjetur me search. Për këto arsye s’pati
thuajse kurrfarë ndikimi, po gjithsesi e mori një vlerë humoristike: të
kujtonte atë nxënësin që nxiton të mbarojë detyrat e shtëpisë pavarësisht se
si.
Botimi i fotos së një bufi që po kapte një mi, shoqëruar me
diçiturën: ‘Kush është bufi e kush është miu’ ngjau si një shashkë që nuk ndezi
edhe ngaqë Rama në çast e flaku që të kërciste tek hedhësi, shoqëruar me
sqarimin: miu janë fituesit e primareve që Bufi nuk i përfshiu në listat e
mbyllura.
Shumë më amator, i
dobët dhe i zbehtë shërbeu sqarimi se bufi është kafshë e zgjuar dhe për këto
cilësi Athinaja, perëndesha antike e zgjuarsisë e mbante pranë. Problemi me
bufin e Athinasë krijohet nga fakti se në klimën e elektrizuar të fushatës
elektorale, njeriu më shumë se argumenta logjikë e të tjerrur hollë, parapëlqen
gjëra që s’para duan shtjellime akademike po perceptohen shpejt. Pa bërë as
gjysmën e rrugës për të shkuar në antikitet e të mendonte për Athinanë,
votuesit i shkrepnin në kokë konotacionet negative të fjalës buf në gjuhën e
nënës, në shqip të tilla si: ç’i hap sytë si buf, buf kënete, si thonjt e
bufit, e di dhe bufi etj. Këto konotoacione negative janë goxha të përdorura në
shqipen bisedore, aq të përdorura sa nuk i kanë lënë mundësi të gjorit buf të
fitojë ndonj vlerësim pa le më lavdërim.
Parë nga jashtë nuk je në gjendje të thuash nëse këshilla të
këtij niveli u morën seriozisht nga njerëzit e marrdhënieve publike në PD. Ka
të ngjarë që më shumë sesa për këshilla të tilla, që u blenë me çmim magjie por
ngjajnë si marifete, PD e përdori praninë e LaCivitas për të sendërgjuar idenë
se tanimë po ndihmohet nga një person që ka lidhje të afërta me Shtëpinë e
Bardhë, madje edhe me vet presidentin Trump. Dhe kjo mund të ketë funksionuar
me një pjesë të mirë të militantëve, paçka se të sjell në mend historitë e
qëmotshme me berberin e Sulltanit.
No comments:
Post a Comment