Në një episod të fundit të emisionit “N'xhiro me Syçin”,
moderuar nga Ilir Demalia, ish-sekretari i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe
ish-drejtori i Partizanit, Eduard Prodani, ndau një rrëfim të detajuar mbi
ringritjen e klubit legjendar pas rrënimit total. Sipas Prodanit, Partizani,
dikur një perandori sportesh, kishte mbetur vetëm me një stemë dhe pa asnjë
infrastrukturë funksionale, derisa presidenti Gaz Demi vendosi ta rimerrte në
dorë fatin e tij.
“E mori klubin nga
hiçi. Kishte mbetur vetëm një stemë dhe sot kemi një kompleks sportiv modern.
Kjo është për t’u vlerësuar,” deklaroi Prodani. Ai theksoi se investimi ka qenë
plotësisht privat dhe jo i subvencionuar nga shteti. “Qeveria s’ka dhënë asnjë
lek, përveçse i ka dhënë truallin. Ai ka futur para nga xhepi dhe kjo duhet
thënë.” Në diskutim me Demalian, u prekën dhe temat e shpërbërjes së sporteve
të tjera që përbënin Partizanin – nga volejbolli e basketbolli, te atletika dhe
mundja – duke ngritur shqetësimin për mungesën e infrastrukturës sportive në
Shqipëri.
“Komunizmi e
kuptonte rëndësinë e sportit. Sot nuk kemi as fusha, as salla. Është turp,”
shtoi Demalia. Por në fund, të dy ranë dakord: pa kontributin e Demi-t, emri
“Partizani” mund të kishte humbur në histori. “Brendi nuk blihet me lekë,” tha
Prodani.
No comments:
Post a Comment