Në prag të zgjedhjeve parlamentare, kandidati për deputet i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ishte i ftuar në emisionin “N’xhiro me Syçin” nga Ilir Demalia, ku shpalosi arsyet pse, sipas tij, qytetarët shqiptarë duhet t’i japin mandatin e katërt qeverisë socialiste. Braçe theksoi se është e rëndësishme të bëhet dallimi mes partisë dhe qeverisë. Sipas tij, edhe brenda një qeverie socialiste, individë të caktuar si ministra, zëvendësministra apo drejtues të administratës mund të mos e meritojnë të jenë pjesë e qeverisjes së ardhshme. Prandaj, ai theksoi nevojën për reflektim të vazhdueshëm dhe përmirësim të vetes.
“Problemi ynë është të ndryshojmë veten kohë pas kohe, të
përshtatemi me kërkesat e qytetarëve dhe të korrigjojmë gabimet tona,” u shpreh
Braçe. Ai argumentoi se Partia Socialiste e meriton mandatin e katërt për tri
arsye kryesore: transformimi i vendit gjatë 12 viteve të fundit, nevoja për të
çuar përpara dhe përmirësuar punën e nisur, si dhe mbrojtja e arritjeve,
sidomos në drejtësi. Në këtë kontekst, Braçe theksoi rëndësinë e reformës në
drejtësi dhe mbështetjen ndaj saj, pavarësisht kritikave që mund të kenë
ekzistuar edhe nga brenda vetë PS-së. “Është thelbësore që drejtësia – qoftë
penale, civile apo sociale – të instalohet plotësisht në këtë vend,” tha ai. Ai
u shpreh kundër çdo sulmi politik ndaj sistemit të drejtësisë dhe theksoi se
prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë përgjegjës vetëm përpara institucioneve
kushtetuese.
Duke folur për luftën kundër korrupsionit, Braçe nënvizoi se
Partia Socialiste është e vetmja forcë politike që ka hequr mbrojtjen politike
për të akuzuar brenda saj, duke i lënë ata përballë drejtësisë. “Tregoni një
rast në 35 vitet e fundit kur një parti në pushtet ka goditur korrupsionin
brenda vetes,” u shpreh ai. Në fund, Braçe përmendi edhe çeljen e negociatave
me Bashkimin Evropian si një tjetër argument të fortë për të mbështetur PS-në
në këto zgjedhje, duke e quajtur këtë proces si një nga më të rëndësishmit për
të ardhmen e vendit.
No comments:
Post a Comment